Prapa grilave - Ilustrim

Burg e gjobë për katër të akuzuarit të grabitjes në tentativë

Katër të akuzuarit të cilët kishin tentuar të grabisin në një këmbimore me pronar Ismet Syla në Gjakovë, sot gjykatësi Shaqir Zika iu shqiptoi dënimin me burg e gjobë.

Besim Morina, Qemajl Gashi, Besnik Prenqi dhe Samuel Prenqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Besim Morina, Qemajl Gashi, Besnik Prenqi dhe Samuel Prenqi, u dënuan me burgim prej 2 vite e 6 muaj si dhe gjobë në shumë prej 500 euro.

Sipas gjykatës ky dënim iu shqiptua me qëllim që të njëjtit kanë qenë bashkëpunues prej fillimit, janë të ri dhe se me të njëjtin dënim do të arrihet qëllimi dhe efekti i tij, e poashtu gjatë kësaj periudhe të njëjtit do të rehabilitohen në mënyrë që të mos kryejnë me vepra të tjera penale.

Ata kishin pranuar fajësinë duke i kërkuar falje të dëmtuarve Ismet Syla dhe Fadil Avdyli, e duke thënë se ditën kritike kishin qenë nën ndikimin e substancës narkotike.

Sipas aktakuzën, më 17 shkurt të vitit 2021, Besim Morina, Qemajl Gashi, Besnik Prenqi dhe Samuel Prenqi me përdorimin e forcës kishin hyrë në këmbimoren “Ismeti”, duke tentuar t’i marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Ismet Syla.

Aktakuza thotë se ata kishin qenë të maskuar me kapela në kokë dhe me maska anti-Covid, ku Samuel Prenqi ka qëndruar jashtë lokalit për të bërë roje, ndërsa Besnik Morina me pistoleten “Pietro Bereta” dhe Qemajl Gashi me pistoletën lodër, bashkë me Besnik Prenqin kishin hyrë në lokal duke thënë “Qitni paret”.

Në aktakuzë thuhet se brenda në lokal ka qenë i dëmtuari Ismet Syla bashkë me Fadil Avdylin dhe se të akuzuarit në këtë rast kishin hasur në rezistencë dhe gjatë përleshjes kishin arritur të ikin në drejtim të Stacionit të Autobusëve.

Të njëjtit gjenden në paraburgim nga data 19 shkurt të këtij viti.