Foto: Kallxo.com

Burg e gjobë për avokatin nga Peja

Gjykata e Prishtinës ka dënuar avokatin Haxhi Çekaj me 6 muaj burg dhe 3 mijë euro gjobë pasi e gjeti fajtor për veprën penale të mashtrimit.

Por gjykata ia mundësoi të akuzuarit Haxhi Çekaj që dënimin me burgim prej 6 muajsh ta zëvendësojë me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Për më tepër, atij iu shqiptua dënim plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej një viti.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.