Burg dhe gjobë për dy vëllezërit për përdorim dhe armë pa leje

 

Naxhmi dhe Haxhi Guraziu, janë dënuar nga Gjykata e Prizrenit për shkak se të njëjtit u gjetën fajtor për përdorim dhe armëmbajtje pa leje.

Të dy të pandehurit, para gjykatës në mënyrë vullnetare e pranuan fajësinë, kurse mbrojtësit e tyre kërkuan që gjykata t’i shqiptojë një dënim më të butë.

Pranimi i fajësisë nga të akuzuarit u mbështet nga prokurorja e rastit Ariana Shaikovca, ndërsa u aprovua nga gjykatësja e krimeve të rënda Ajser Skenderi.

Gjykatësja Skenderi, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve të njëjtit i shpalli fajtor me ç’rast të akuzuarin Naxhmi Guraziu për përdorim të armës pa leje e dënoi me 3 muaj burgim kurse për posedim të armës e dënoi  500 euro gjobë.

Mirëpo, me pëlqimin e mbrojtëses së tij Fatbardha Elezkurtaj, dënimi me burgim iu zëvendësua me gjobë në shumën prej 700 euro.

Kurse, të akuzuarin e dytë Haxhi Guraziu, për veprën penale posedim i armës gjykata e dënoi me 500 euro gjobë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, të akuzuarit e lartcekur u obliguan që të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën prej 50 euro si dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarve gjithashtu i janë konfiskuar edhe armët.

Sipas Prokurorisë, Naxhmi Guraziu me datë 15 gusht 2021, në fshatin Bllacë të Komunës së Suharekës, përdorë armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin ashtu që shkrep një herë me armë zjarri në ajër, e për të cilën nuk posedonte leje nga organi kompetent.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë pasi i akuzuari ndalohet nga policia nga i njëjti sekuestrohet një revole e markës “Zoraki”-modeli 914-B, kalibër 8mm për të cilën nuk posedonte leje nga organi kompetent.

Me anë të këtyre veprimeve i akuzuari Naxhmi Guraziu u ngarkua për veprat penale përdorimi i armës dhe mbajtja në kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.

Sipas aktakuzws Haxhi Guraziu me 15 gusht 2021, pasi i njëjti shoqërohet në stacionin policorë në Suharekë, gjatë intervistimit pranon se në shtëpinë e tij posedon një pushkë automatike të markës AK-47 nga vëllau i tij dëshmorë i luftës në Kosovë, me ç’rast policia ia sekuestron të njëjtën.

Me këtë, nga Prokuroria Haxhi Guraziu u ngarkua se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.