Burg dhe gjobë ndaj të akuzuarit për drogë

 

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë të akuzuarin Gëzim Gela.

I pandehuri Gela akuzohet nga Prokuroria e Mitrovicës për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas akuzës Policia përkatësisht Njësia për antidrogë-veri me urdhër verbal të Gjykatës së Mitrovicës kishte bërë kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të pandehurit.

Prokuroria në akuzën e saj ka sqaruar se në dhomën e gjumit të të pandehurit ishin gjetur disa qese me substancë narkotike të fshehura në disa qese plastike, pako cigaresh dhe në një kuti.

Po ashtu prokuroria kishte gjetur edhe foli dhe qese plastike me ngjyra të ndryshme të cilat sipas akuzës i pandehuri i kishte përdorur për paketimin e substancave narkotike për shitje.

Ndërsa pas ekzaminimit laboratorik që janë përdorur për paketimin e substancave narkotike për shitje, është treguar se është prezent kanabisi (marihuanë) që përmban Tetrahidrokanabinol (THC) pesha neto e përgjithshme 383.17 gram, plus minus 0.0001 gram.

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Mitrovicës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihej në barrë.

Ndërsa me pajtimin edhe të prokurorit Ismet Ujkani, gjykatësi Beqir Halili ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga gjykatësi Halili, i akuzuari Gela është dënuar me një vit e gjysmë burg dhe 500 euro gjobë.

Gjykata në matjen e llojit dhe lartësisë së dënimit ka marr parasysh rrethanat lehtësuese siç ishte ajo e pranimit të fajësisë nga i pandehuri që në seancën e shqyrtimit fillestar.