‘Burdushi’ përsëri në bankën e të akuzuarve

Hysri Peqani, apo siç njihet me emrin “Burdushi” edhe njëherë sot u përball me drejtësinë.

Në seancën e sotme ishte ftuar të dëgjohet ekspertiza e ekspertit financiar, Ramadan Ferizi, në lidhje me transaksionet bankare dhe të ardhurat e të akuzuarit.

Ferizi deklaroi se tërë ekspertizën e tij e ka bazuar në raportin e departamentit të hetimeve të ATK-së.

“I tërë pasuesi të cilin e kam cekur në ekspertizë është nga raporti final hetues nga departamenti i hetimeve i dorëzuar palëve dhe unë nuk mund ta ndryshojë”– tha eksperti Ferizi.

Eksperti konstatoi se në shkresa të lëndës dhe raportin e ATK-së thuhet se vetëm në institucionin mikrofinanciar “Western-Union”, në emër të akuzuarit kanë kaluar 161 transaksione në shumën 145,076.36 euro.

“Në shkresat e lëndës ekziston pasqyra e të gjitha transfereve të cilat i janë dërguar Hysri Peqanit dhe familjarëve të tjerë në Western-Union, unë kam vizituar WU si institucion mikrofinanciar eksperti ka vizituar Western-Unionin dhe ka marrë shënime të sakta se vetëm në emër të Hysri Peqanit duke filluar nga data 15.06.2005 e deri me datë 05.12.2018 në emër të Hysri Peqani janë 161 transaksione në shumën 145,076.36 euro” – deklaroi eksperti financiar.

Eksperti konstatoi se sipas shkresave të lëndës në institucionin tjetër mikrofinanciar “MoneyGram”, transaksione në shumën 60,913.00 euro.

“Në MoneyGram 60,913.00 euro vlerë transaksione dhe këto të dhëna eksperti i ka nxjerrë nga raporti final hetues i departamentit të hetimeve tatimore” – tha eksperti Ferizi.

‘Burdushi’ akuzohet se që nga vitit 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzon se të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.