Hysri Peqani - 'Burdushi'

“Burdushi” kundërshton aktakuzën e cila e ngarkon për pasurim të kundërligjshëm

Në seancën e shqyrtimit të dytë, Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, i cili nga ana e Prokurorisë Speciale po akuzohet për tri vepra penale, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Durim Osmani, ka kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria Speciale “Burdushin” e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje e parasë.

Avokati Durim Osmani në afat ligjor kishin dorëzuar kërkesën për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.

Këtë kërkesë përmes përgjigjes e kishte kundërshtuar edhe prokurorja speciale Merita Bina-Rugova.

Sipas Osmanit, provat që ishin marrë gjatë procesit të konfiskimit ishin marrë pa pasur kushte për urdhër kontroll në kohën kur ishte nxjerrë aktvendimi për fillim të hetimeve nga ana e Prokurorisë ngase sipas tij, në arsyetimin e raportit për urdhër kontroll theksohet se informacionet e marra nga mediat kishin shërbyer si indicie për urdhër kontroll.

Tutje ka kundërshtuar si prova të papranueshme edhe dëshminë e dëshmitarëve të cilat sipas tij ishin në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi sipas tij, mbrojtja ishte dashur të ftohej gjatë marrjes së këtyre deklaratave.

Më pas i njëjti ka thënë se me asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohet se veprat penale ishte kryer në periudhat e cekura në aktakuzën e Prokurorisë.

Kurse në lidhje me veprën penale shpëlarje e parave, sipas avokatit Osmani blerja e sendeve të caktuara nuk nënkupton se i mbrojturi i tij ka kryer këtë vepër penale.

Prokurorja speciale Merita Bina -Rugova, ka thënë se deklarimi i avokatit Osmani ishte vetëm përsëritje e pohimeve të shkruara në kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, prandaj sipas saj, ajo edhe i kishte dhënë përgjigjet e saja të cilat i kishte kundërshtuar.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se lidhur me kërkesën e mbrojtjes do të marrë vendim në formë të shkruar.

Kujtojmë se në seancën fillestare të mbajtur më 30 tetor 2020, i akuzuari Hysri Peqani ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas Prokurorisë që nga vitit 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie, 55 fishekë në kundërshtim me Ligjin për armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale, duke filluar nga viti 2006 parat e tilla i ka futur në sistem bankarë përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria Burdushit i ka sekuestruar edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar si “Mashtrimi”.

Pos këtij rasti, “Burdushit” në Gjykatën e Prizrenit i është vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.