Ilustrim

Blerja online nga Malajzia e nxori para drejtësisë hakerin e dyshuar nga Kamenica

32 vjeçari nga Kamenica, Arbnor Morina, po akuzohet nga Prokuroria se prej kohës së pavërtetuar e deri me datën 26 prill 2013, me anë të letërnjoftimit të falsifikuar me emër të rremë si Bekim Thaçi kishte hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin kompjuterik duke u marrë të tjerëve identitetin kartelave bankare të cilat i kishte vënë në përdorim duke porositur sende të ndryshme si laptopë, telefona…

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari u kishte shkaktuar dëm firmave deri në prill të 2013 kur Dogana e Kosovës vërejti se kanë arritur porosi për pranues të dyshimtë dhe pas hetimeve vërtetohet se Arbnor Morina ishte pranuesi i kundërligjshëm.

Të hënën në gjykimin e Arbnor Morinës janë dëgjuar zyrtarët e AKF-së në cilësinë e dëshmitarëve.

“Kam ekzaminuar pajisjet e sjella nga Policia, dëshmia e parë ka pasur text file, dokumentet identifikimit të personave shtetas të huaj, historikun e internetit, të dhënat e kartelave bankare disa nga të cilat ishin amerikane dhe australiane dhe të vendeve të ndryshme. Përveç komunikimit të rrjeteve sociale për të cilin  nuk kemi pasur mundësi teknike me ekzaminu”, tha në gjykatën e Prishtinës, Bekim Ademaj, zyrtar i AKF-së në cilësinë e dëshmitarit.

Në pyetjen së prokurores së rastit Besa Limani, se si një person i rëndomtë mund të ketë qasje në të dhëna të tilla, dëshmitari Ademaj tha se njësia hetimore kibernetike merret me hetimin se si dikush është kyçur në këto të dhëna.

E një dëshmi të plotë e dha dëshmitari Skënder Abedini, hetues në njësinë e krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, i cili para gjykatës tregoi si janë zbuluar dërgesat.

“Me të shkuar në Aeroportin e Prishtinës, zyrtarët e doganës na njoftuan se brenda dërgesës për të cilën është kërkuar të kthehet për shkak të mashtrimit, është një laptop dhe një Iphone 5”, tha dëshmitari Abedini.

“E veçanta e kësaj dërgese ka qenë se njëra ka qenë 35 dollarë amerikanë dhe tjetra 24 dollarë, në emër të rremë të Bekim Thaçit pa adresë vetëm kodi 10000 Prishtinë –Kosovë dhe numri i telefonit”, tha ai.

Për të zbuluar marrësin e dërgesës, Dogana në marrëveshje me DHL-në e kishte liruar mallin dhe i njëjti është nisur në drejtim të pranuesit.

“Ne kemi pritur në perimetër të ngushtë të vendit ku do të bëhet pranimi i mallit, nuk më kujtohet saktë por pas një ore ka ardhë një makinë e DHL-së e cila është ndalë 500 metra prej katedrales në drejtim të Fushë-Kosovës derisa ka dalë personi i cili ka nënshkruar disa letra, mori pakot dhe vazhdoi rrugën”, tha ai.

Ai tha i dyshuari ishte ndaluar në hyrje të banesës ku edhe ishte konfirmuar identiteti i tij,

“Atëherë kemi kërkuar nga prokurori kujdestar një urdhër verbal për kontroll, kemi filluar kontrollin e banesës një dhomëshe, ka pasur pajisje të llojllojshme si laptopa, telefona, fatura të porositjeve të mëhershme, kopja e letërnjoftimit me emër të Bekim Thaçit me fotografi të Arbnor Morinës me të cilin ishte bërë blerja e fundit nga Malajzia”, tha Skender Abedini.

“E veçanta e këtij  kontrolli ishte se në vendin e ngjarjes Arbnor Morina e ka pasur laptopin e ndezur, në të cilin kanë qenë të hapura disa dritare, njëra prej të cilave si dëshmi për ne ishte email-adresa e hapur në të cilën gjendeshin folldera të krijuara në bazë të emërtimeve të ndryshme ASUSS, RDP, në brendësi të këtyre ka pasur me qindra apo mijëra informata të kartelave bankare të huaja amerikane, australiane”, tha dëshmitari Abedini.

“Follderi me informata si RDP nënkupton qasje në distancë e kompjuterit për shembull nga Prishtina në cilin do vend tjetër të botës”, tha ai.

“Follderi HALUC në të cilin ka pasur shumë informata të kredit kartelave me të dhënat personale me kod CVV i cili mundëson blerjen e çfarëdo produkti online”, nënvizoi Abedini.

Ndërsa kur i akuzuari u pyet nga gjykata se a do ta paraqesë mbrojtjen, ai tha se do të mbrohet në heshtje.

Prokurorja e shtetit Besa Limani, nuk ishte e gatshme ta jap të hënën fjalën përfundimtare dhe kërkoi që të ndërprehet seanca e cila u caktua për datën 24 shtator.