Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Biznesmeni nga Suhareka Aziz Tafaj, akuzohet për pëvetësimin e miliona eurove

Biznesmeni Aziz Tafaj, ka tetë vite që akuzohet për përvetësimin e 2,270,524.00 eurove.

Sipas Prokurorisë, Aziz Tafaj ngarkohet se kishte shpërdorur pozitën zyrtare ose autorizimin që kishte në cilësinë e drejtorit të firmës ‘Imobiliare  Friuli’  dhe se që nga korriku i 2007 e deri në janar të 2010-ës, iu kishte shkaktuar dëm aksionarëve të tjerë të kësaj shoqërie, me qëllim të përvetësimit të dobisë pasurore për veti.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Tafaj, aksionarëve të kësaj shoqërie ju kishte paraqitur në mënyrë të rreme çmime të fryra  të palujtshmërive.

“Për ndërrimin e një palujtshmërie në Prishtinë, vlera reale e së cilës ishte 200,000.00 euro në bilancin e shoqërisë e ka prezantuar në shumë prej 645,000.00 euro. Palujtshmërinë në Matiqan vlera e së cilës ishte 200,000.00 euro e kishte prezantuar në shumë prej 547,500.00 euro dhe për palujtshmërinë tjetër vlera e së cilës ishte 274,176.00 e kishte paraqitur në vlerë prej 728,000.00 euro. Palujtshmërinë në fshatin Suhodoll vlera e së cilës ishte 9,800.00 euro e kishte prezantuar ne vlerë prej 900,000.00 euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme të pranishëm ishin i akuzuari Aziz Tafaj, mbrojtësja e tij Shpresa Berisha- Rexhepi, prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi si dhe përfaqësuesit e agjensioneve të patundshmërive Omega dhe Milenium, Bashkim Ajdini dhe Arsim Fetahu.

Avokatja Shpresa Berisha- Rexhepi propozoj që seanca të shtyhet sepse nuk e kupton gjuhën në të cilën është shkruar raporti derisa i njëjti t’i dërgohet në gjuhën shqipe.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues Nushe Kukaj- Mekaj, parashtruar dy përfaqësuesve të agjensioneve për patundshmëri se ‘a keni qenë të  licencuar për përpilimin e këtij raporti’ ata thanë ‘jo nuk kemi qenë, por na kanë thënë me përpilu raportin në bazë të përvojës tonë’.

Ndonëse u përmbushën kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, kjo seancë dështoi  të mbahet për shkak se Prokuroria raportin e vlerësimit të palujtshmërive të propozuar si provë në aktakuzë nuk e kishte të përkthyer në gjuhën shqipe.

Andaj seanca e sotme u shty në kohë të pacaktuar deri në sigurimin e raportit i cili në origjinal ishte në gjuhën shqipe, por jo më gjatë se 11 tetor.