Betim Reçica dhe zyrtarët e tjerë të MI-së deklarohen për fajësinë

Betim Reçica, ish sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, i akuzuar për disa vepra penale, ndër to ushtrim ndikimi, shpëlarje parash, duke përfshirë edhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, si dhe tre zyrtarë të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve.

Të gjithë të akuzuarit në seancën e sotme janë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë në asnjërën prej pikave të aktakuzës së ngritur nga Prokurorisë Speciale.

Gjyqtari Musa Konxheli i njoftoi avokatët mbrojtës se kanë afat 30 ditorë për të paraqitur kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe për të hedhur poshtë provat.

Prokurorja speciale Habibe Salihi, në fjalën e saj hyrëse tha se: “Prokuroria Speciale me datë 15.02.2021 ka ngritur aktakuzë kundër Betim Reçicës, Isa Berisha, Mirdit Emini, Leonora Limani, sepse u vërtetua dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Betim Reçica në cilësinë e u.d. të drejtorit të prokurimit publik në MI, gjatë vitit 2017 me qëllim të përfitimit për kompaninë ‘Gjoka Konstuction’, nga Tirana ushtroi ndikim të drejtpërdrejt te Isa Berisha, kryetar i komisionit përzgjedhës, dhe Leonora Limanin e Mirdit Eminin, anëtarë të këtij komisioni, i vuri në presion kohorë në rivlerësim kërkoi nga ta që të caktoj takim me ministrin e atëhershëm Pal Lekaj, e ta shpalli fitues ‘Gjoka Konstuction’ edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se operatori ekonomik ‘D. P. Ardiani’, që e kishte rekomanduar komisioni rivlerësues”, tha Salihi

Tutje prokurorja Salihi tha se: “I akuzuari Betim Reçica, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat me qëllim që ta përfitoj çfarëdo lloj dobie për personin tjetër, ashtu që me datën 11.06.2019 nxjerr vendimin me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar për zyrtarët e angazhuar për realizimin e projekteve kapitale në MI, në mënyrë retroaktive ata zyrtarë përfituan në mënyrë të kundërligjshme shumën rreth 8000 euro, duke dëmtuar buxhetin e RKS”, tha prokurorja.

“Ndërsa me datën 14.08.2019, i akuzuari Betim Reçica ka keqpërdorur detyrën duke nxjerr vendim me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar shtesa në pagë, për zyrtarët në mënyrë retroaktive prej datës së fillimit të punës për Hysen Merofcin prej vitit 2010, kurse për Ardian Begaj duke filluar që nga fillimi i vitit 2010 kur është punësuar, me ç’rast e ka dëmtu buxhetin e RKS në shumë prej 60,500 euro”, tha ajo.

Tutje Salihi tha se i akuzuari Betim Reçica: “Mjetet financiare të cilat i kishte përfituar me këtë aktivitet kriminal, aktivitet ky që është ndërlidhur me veprat e sipër përmendura, me qëllim që këto para, të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë Audi ngjyrë e zezë, prodhuar në 2019, të cilën veturë me qëllim të fshehjes së të ardhurave të kryera me vepër penale e ka regjistruar në emër të vëllait, me këtë ka kryer veprën penale shpëlarje parash”, tha prokurorja.

“Të akuzuarit Isa Berisha, Mirdit Emini, Leonora Limani, u vërtetu dyshimi i bazuar mirë se Isa Berisha në cilësinë  e kryetarit të komisionit përzgjedhës, kurse Mirditi Emini dhe Leonora Limani në cilësinë  e anëtarëve të komisionit me datë 21.11.2017 për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik për ndërtimin e rrugës së Gjilanit, keqpërdori detyrën zyrtare në atë mënyrë që nuk përmbushën detyrat zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmim më të ulët, që ishte kriter kryesor për shpalljen e fituesit, buxheti i RKS u dëmtua në shumë prej 6 milionë euro “, tha prokurorja Habibe Salihi.

“Betim Reçica, ka ndryshuar raportin vlerësues që të i ofroj përfitim operatorit ‘Gjoka Konstuction’ duke e shpall të përgjegjshëm edhe pse e ka dit se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i përgjegjshëm, edhe pse operatori tjetër është ofertuar si ë i lirë, me ç`rast e ka dëmtuar buxhetin e RKS në shumë rreth 1 milion e 600 euro”, tha prokurorja.