Beteja gjyqësore 8-vjeçare për kthimin në vendin e punës

Albana Morina-Xharra tash e 8 vite përmes padisë po kërkon kthimin në vendin e punës në bankën ProCredit dhe kompensimin e pagave.

Seanca e fundit në këtë proces gjyqësor është mbajtur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Ky rast po trajtohet për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi që paraprakisht në prill të vitit 2016 Gjykata aprovoi pjesërisht padinë e paditëses mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, “ProCredit Bank” obligohej që Albana Morinën ta kthejë në punë, t’i kompensohen pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, në emër të tatimit në burim në Administratën Tatimore t’i paguhen 1,667 euro, në Trustin Pensional t’i transferojë në emër të paditëses 2,550 euro me kamatë ligjore, si dhe të paguajë shpenzimet procedurale.

Po ashtu, sipas vendimit,  “ProCredit Bank” detyrohej që Morinës nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënies së punës e datës 4 qershor 2013 e deri më 31 janar 2016 kur me vendim të gjykatës ishte bërë ekspertiza financiare, t’i kompensohen 22 mijë e 557 euro.

Ndaj këtij vendimi e paditura ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se ka pasur shkelje thelbësore të rregullave të procedurës kontestimore, se vendimi ka pasur aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike..

“ProCredit Bank” si palë e paditur i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta aprovojë ankesën që aktgjykimi të ndryshohet për pikat e vendimit me të cilat janë aprovuar kërkesat e Morinës duke refuzuar kërkesëpadinë e paditëses dhe duke e detyruar atë që t’i paguajë shpenzimet e procedurës.

Ankesë kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë e ka bërë Albana Morina si paditëse.

Sipas ankesës, Gjykata me aktgjykimin e nxjerrë ka bërë vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Albana Morina kërkoi që Gjykata e Apelit të ndryshojë pikat në të cilat janë refuzuar kërkesat e saj. Në ankesën e Morinës theksohet se edhe pse i ka vlerësuar pretendimet e saj për diskriminim Gjykata prapë nuk ka zbatuar Ligjin kundër diskriminimit e Ligjin e Punës.

Morina po kërkon që Gjykata ta detyrojë të paditurën që t’ia paguajë asaj dyfishin e pagave për shkak të diskriminimit në punë dhe në emër të kompensimit për dëmin jomaterial në shumën 100 mijë euro, për dhimbje shpirtërore ajo kërkon shumën 20 mijë euro, kërkesa këto të refuzura nga Gjykata e shkallës së parë.

Ndërsa para disa ditëve, më datë 23 dhjetor, është mbajtur një seancë gjyqësore e rigjykimit për këtë rast.

Në këtë seancë është dëgjuar eksperti Shpend Haxhibeqiri lidhur me raportin e ekspertizës për ekzaminimin e të paditëses Morina-Xharra.

Eksperti ka deklaruar se paditësja ka kaluar në një fazë emocionale të brishtë me dhimbje shpirtërore.

“Në aspektin shëndetësor e njëjta ka takuar psikiatrin dhe kjo mund të jetë një fazë emocionale e brishtë që i takon impaktit shëndetësor dhe për këtë arsye edhe janë të cekura dhimbjet shpirtërore që i takojnë dhe periudha kohore që i takojnë impaktit emocional apo shëndetësor nga paditësja”, ka deklaruar eksperti.

Pyetje në drejtim të ekspertit ka pasë edhe përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Kujtim Kërveshi, i cili kërkoi nga eksperti detaje lidhur me kohën kur paditësja ka përjetuar dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë.

“Jo, dhimbje shpirtërore të intensitetit të lartë përfaqësohet nga momenti i marrjes se lajmit që definitiv është shkëputur marrëdhënia e punës për arsyen se është në prirje njerëzore gjithmonë shpresa se nuk do të vijë deri të me e keqja apo ndonjë lajm çfarë i ka ndodhur paditëses me 21.02.2013 andaj faza e dhimbjes shpirtërore fillon nga ky moment”, u përgjigj eksperti.

Tutje në këtë seancë me propozimin e paditëses Albana Morina-Xharra, gjykata ka caktuar ekspertizë  financiare.

Gjykatësi, propozimin e paditëses për ekspertizë financiare e kishte aprovuar me 22 nëntor, por që sipas tij ky vendim nuk i është dorëzuar ekspertes financiare Vetima Vuqitërrna, në mungesë të adresës së saj.

Në këto rrethana gjykatësi e ka obliguar paditësen Morina-Xharra që gjykatës t’ia dorëzojë adresën apo numrin kontaktues të ekspertes.

Gjykata ka aprovuar edhe propozimin e paditëses për dëgjimin e dëshmitarit Valon Halilaj.

Tutje paditësja ka kërkuar nga gjykata që t’i dorëzohet fletëkthesa e dëshmitarit Halilaj për seancën e 16 janarit 2021 si dhe fletkthesën e dorëzimit të aktgjykimit të Gjykatës në Prishtinë të vitit 2016 tek përfaqësuesi i të paditurës, pasi sipas saj ka parregullsi në këto fletëkthesa.

Ajo shtoi se këto i nevojiten për procedurën hetimore sipas kallëzimit penal që ajo ka ushtruar lidhur me këtë rast.

Ndërsa avokati Kujtim Kërveshi i propozoi gjykatës që kjo kërkesë të refuzohet pasi ka të bëjë më një procedurë tjetër.

Kërveshi lidhur me  nxjerrjen e ekspertizës financiare tha se është jashtë petitumit të padisë së paditëses, me arsyetimin se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar me një aktgjykim.

Në këto rrethana sipas tij nuk lejohet zgjerimi i kërkesëpadisë pa aprovimin shprehimor të palës së paditur, duke shtuar se ata nuk e aprovojnë këtë zgjerim.

Paditësja Morina-Xharra tha se është e drejtë e saj ligjore që të pajiset me shkresa të lëndës, dhe se është në tërësi e parëndësishme se për çfarë i nevojiten asaj fletëkthesat, duke shtuar se kjo nuk shkakton zvarritje.

Ndërsa po ashtu e kundërshtoi pretendimin e palës së paditur se kërkesa e saj për ekspertizë financiare paraqet zgjerim të padisë.

“Kërkoj që kjo çështje të shqyrtohet tani dhe mos të lihet për një padi të re eventuale”, ka deklaruar paditësja.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.