Besnik Berisha: Krediti për gjetjen e kokainës takon DEA-s amerikane dhe jo Policisë së Kosovës

Avokati Besnik Berisha, i cili është mbrojtës i njërit nga të dyshuarit për rastin e kokainës së konfiskuar në Lipjan, u prononcua për media, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë duke thënë se ajo nuk ka asnjë provë të vetme që e vërteton se të pandehurit kanë lidhje me ato 400 kg kokainë.

Berisha potencoi se kreditet për ndjekjen dhe gjetjen e kokainës i takojnë DEA-s amerikane dhe hetuesve ndërkombëtar.

“Krediti i shkon DEA-s amerikane për gjetjen e ndjekjen e kësaj kokaine, Kosova është marrë si destinacioni i fundit i kamionit me mish”, tha Berisha
Ndër të tjera ai potencoi se shteti i Kosovës është krenuar kot me këtë gjetje, që sipas tij është detyre e tyre, meqë paguhen prej taksave të qytetarëve.

“Shteti jonë është krenu dhe konferencat kanë qenë të kota, ata që meritojnë falënderim që kjo drogë nuk është në qarkullim janë DEA amerikane dhe hetuesit tjerë ndërkombëtarë sepse këta tanët kanë kry detyrim se skanë çahre dhe për këtë nuk meritojnë falënderim sepse për këtë po i paguajmë taksat”, tha Berisha.

Dy ditë më parë, në Lipjan janë konfiskuar nga Policia 400 kg kokainë, e cila është gjetur në një kamion që transportonte lloje të ndryshme të mishit të pulës.
Kallxo.com ka arritur të sigurojë kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e paraburgimit për gjashtë të dyshuarit lidhur me 400 kilogramët e drogës së llojit kokainë e kapur ditë më parë në hyrje të qytetit të Lipjanit.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet në detaje pretendimi i prokurorisë për rolin e secilit nga të dyshuarit dhe po ashtu, përshkruhet rruga e ngarkesës së kokainës dhe destinacioni final i ngarkesës.Prokuroria pretendon se gjashtë të dyshuarit, kanë vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe si bashkim i strukturuar kriminal, duke kryer veprime me qëllim të importimit në Kosovë të sasisë prej 400 kilogramëve të drogës së llojit kokainë.

Guardia di Finanza: Nëse kokaina do të shitej me pakicë do të fitoheshin mbi 100 milionë euro (VIDEO)