Berisha- Huduti, sërish para gjykatës nën akuzat për shtytje në veprat terroriste

Ikballe Berisha- Huduti, ka dalë sot para gjykatës për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila e ngarkon atë me veprën penale shtytje në veprat terroriste.

Prokurori i çështjes, Afrim Shefkiu tha se kërkesa për hudhjen e aktakuzës duhet të refuzohet.

“Kërkesa për hudhjen e aktakuzës, duhet të refuzohet sepse vet veprimet e të akuzuarës janë veprime inkriminuese, thirrja për hakmarrje ndryshe nuk bëhet”, tha prokurori Shefkiu.

Ai poashtu shtoi se e akuzuara, në postimin e bërë shpreh mllef dhe urrejtje për amerikanët.

“Në postimin e bërë e akuzuara shpreh urrejtje, mllef për amerikanët, ku i akuzon si vrasës dhe thërret për hakmarrje ndaj amerikanëve”, shtoi prokurori Shefkiu.

Mbrojtja e të akuzuarës Huduti, avokatja, Kosovare Kelmendi tha se postimi nuk ka të bëjë absolutisht me hakmarrje.

“Mbrojtja këmbëngul se absolutisht nuk kemi të bëjmë me hakmarrje, por as me një ideologji terroriste”, tha avokatja Kelmendi.

Avokatja Kelmendi shtoi, se aktakuza dhe provat duhet të shqyrtohen në tërësi nga Gjykata.

“Kërkoj nga Gjykata që të shqyrtojë aktakuzën dhe provat që mbështeten në aktakuzë, pasi ky gjykim nuk duhet të vazhdojë më tutje”, shtoi avokatja Kelmendi.

Kurse e akuzuara, Ikballe Berisha- Huduti, tha se postimi nuk ka të bëjë me thirrje për hakmarrje.

“Kjo s’është thirrje, as mendim por kjo është vetëm përshkrim i situatës”, tha e akuzuara Huduti.

Ajo poashtu shtoi, se më mirë të mbajë burg të pa drejtë, se liri të poshtëruar.

“Nuk kërkoj as mëshirë, e as arsyetim, më mirë të mbaj burg të padrejtë, se liri të poshtëruar”, shtoi e akuzuara Huduti.

Kujtojmë së në shqyrtimin fillestar, e akuzuara Ikballe Berisha – Huduti është deklaruar e pafajshme.

Berisha- Huduti akuzohet se përmes rrjetit social Facebook, me paramendim dhe me dashje, ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Solejmanit, nga forcat amerikane.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 shtator 2020  nga Prokuroria Speciale e Kosovës, më 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, në llogarinë në emër Ikballe Berisha- Huduti në Prishtinë është postuar teksti si në vijim: “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë qe iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhasht durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”.

Sipas prokurorisë ajo në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Gjykata shpalli të mbyllur seancën gjyqësore, kurse jashtë seancës do të vendos për rrjedhën e kësaj çështjeje dhe do të njoftojë me kohë për vendimin lidhur me aktakuzën.