Bënte thirrje për kryerjen e akteve terroiste, dënohet me 2 vite e 6 muaj burgim

Gjykata në Prishtinës gjeti se K. P. është fajtor për veprën penale nxitje për terrorizëm në vazhdimësi.

Përmes llogarisë së tij në rrjete sociale ai postonte videoincizime me ilahi, foto dhe shkrime ku nxiste ndjekësit e tij për të kryer akte terroriste.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i njëjti ishte përkrahës në mënyrë të vazhdueshme i organizatës terroriste ISIS.

Në profilin e tij gjendeshin pamje ‘të vëllait të tij’ duke kryer vetëvrasje me eksploziv ndaj ushtarëve amerikan në Siri.

Në dosjen që rëndon ndaj tij, thuhet se K. P. duke vepruar me paramendim gjithashtu i është përgjigjur thirrjes së kreut të ISIS-it, duke postuar mbishkrime me përmbajtje “Q. E. B. E. B., o tmerrues i armiqve, krahët e mi që po thërret tashmë janë të lirë për të më regjistruar si shehid”.

“Pasha Allahun nuk do të ndalemi deri sa të trokas gozhda e fundit në arkivolin e çdo taghuti” – ishte një mbishkrim tjetër në një postim të bërë nga i akuzuari në rrjetin social.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale shtytje për kryerjen e akteve terroriste.

K. P. në shqyrtimin gjyqësor u deklarua se nuk e ndjen veten fajtorë për veprën penale të cilën prokuroria speciale po e ngarkonte dhe ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

Gjykata konstatoi se K. P. është recidivist që do të thotë se i njëjti ishte dënuar më parë me aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Si rrethanë rënduese gjykata ka gjetur, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së personit të dënuar në veprën penale.

Ndërsa si rrethana lehtësuese në zbutjen e dënimit morën moshën e personit të dënuar pasi që ky i fundit ishte i moshës relativisht të re dhe faktin që personi i dënuar ka marrë pjesë në veprën penale jo si kryes kryesor por përmes inkurajimit ka nxitur persona të tjerë në kryerjen e këtyre akteve.