Begaj dhe 7 të akuzuarit tjerë në gjyq për ‘Zonën Ekonomike – Malishevë’

 

Ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj dhe të akuzuarit tjerë janë ulur në bankën e të akuzuarve. Të njëjtit akuzohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e ‘Zonës Ekonomike’ në Malishevë.

Në seancën e sotme janë dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve. Si dëshmitare e ftuar ishte Hyrmete Gashi, njëra ndër zyrtaret e Ministrisë së Financave e cila kishte marrë pjesë në vlerësimin e pronave të cilat ishin paraparë të shpronësohen në ‘Zonën Ekonomike’ në Malishevë.

Sipas dëshmitares Gashi, ekipi që ka bërë vlerësimin është bazuar në legjislacionin përkatës dhe ato prona i ka vlerësuar në atë kohë me vlerë prej 750 euro për ari.

“Ka kalu 4 vjet prej rastit, i bjen që kanë kushtu 750 euro ari që i bjen 7,5 metri katror kurse totali nuk e di sa ka qenë për 87 hektarë gjithsej”- tha dëshmitarja Hyrmete Gashi.

Për këtë seancë ka qenë e ftuar edhe dëshmitarja Hajrie Hoxha e cila deklaroi në fillim të seancës se i qëndron prapa deklaratave të dhëna më herët në prokurori.

Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begajt, Hajdin Berishës, Bashkim Krasniqit, Malë Krasniqit, Bajram Hasanit, Faton Thaçit, Nazmi Kafexhollit dhe Ahmet Rrahmanajt.

Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit si persona zyrtarë duke keqpërdorur detyrën kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Nazmi Kafexholli sipas aktakuzës së prokurorisë akuzohet për veprën e mashtrimit.

Për këtë Kafexholli akuzohet se kishte përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë në atë mënyrë që duke qenë në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe duke ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte marrë me qera pronën nga i ndjeri M.H. dhe në të kishte ngritur pemishte.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

 

Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin e Zonës Ekonomike në Malishevë