Bedri Hamza, i thirrur si dëshmitar në rastin e 53-milionëshit (15.05.2023), Foto: KALLXO.com

Bedri Hamza pritet të dëshmojë në rastin e 53-milionëshit

Rasti i njohur për publikun si 53-milionëshi solli edhe një herë tjetër në gjykatore ish-ministrin Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Të cilët po akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Përpos ish-ministrit Lekaj, sot në gjykatë pritet që të paraqitet edhe ish-ministri i Financave në kohën e Qeverisë Haradinaj, Bedri Hamza.

Por për dallim nga Lekaj, tash kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza në këtë seancë gjyqësore është i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

Hamza versionin e tij lidhur me këtë çështje pritet ta jap si dëshmitar i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kujtojmë që në cilësi të dëshmitarit për këtë rast në prill të këtij viti ishte dëgjuar edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

E lidhur me këto pretendime të prokurorisë katër të pandehurit në seancën fillestare të mbajtur me  4 majit të vitit 2022 nuk e kishin pranuar fajësinë.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.