Shefqet Riza, babai i policit të vrarë, Triumf Riza - FOTO KALLXO - 06.03.2020

Babai i Triumf Rizës: Enver Sekiraqa e ka ba vrasjen e djalit tim, këmbëzën i tërhoqi dikush tjetër

Babai i Triumf  Rizës, Shefqet Riza thotë para Apelit “më i keq është shtisi se dorasi” .

Pasi gjykatësi referues, Vaton Dërguti e lexoi aktgjykimin e shkallës së parë, në mungesë të prokurorit të Apelit, ftoi të deklarohet Shefqet Rizën.

Shefqet Riza babai i tani të vrarit Triumf Riza, deklaroi se nuk është i kënaqur me dënimin prej 30 vitesh që i është shqiptuar Enver Sekiraqës për vrasjen e të birit.

“Unë s’jam i kënaqur me dënimin. Unë s’kënaqem as me 40 vjet as me kurrgjë”, tha ai.

Riza, tregoi para Gjykatës së Apelit se familja e tij nuk kishte pasur probleme me askë tjetër, përpos se me Enver Sekiraqën.

“Sepse familja jonë nuk ka pasur probleme me askë, dhe ky është Enver Sekiraqa që qëndron prapa kësaj, sepse siç thotë populli ma i keq është shtisi se dorasi, se tjetër kush e ka tërheq këmbëzën por ky e ba”, tha babai i policit të vrarë Triumf Riza, Shefqet Riza.

KALLXO.com raportoi  pak më parë se si Enver Sekiraqa, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit i ka buzëqeshur Shefqet Rizës (babait të Triumf Rizës), në momentin kur është sjell i prangosur në gjykatore.

Shefqet Riza, i dëmtuar me vrasjen e djalit të tij Triumfit, ulet në anën e Prokurorisë për ta ndjekur gjykimin në shkallën e dytë.

I ulur në anën e të dëmtuarve shikon Enver Sekiraqën, i dënuar për të dytën herë se si buzëqesh kur hyn në sallë të gjykimit.

FOTO – Enver Sekiraqa i ‘buzëqeshet’ babait të Triumf Rizës

I dënuari Sekiraqa, sot do ta sfidojë dënimin prej 30 vitesh burgim.

Avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e të akuzuarit Sekiraqa, kishte goditur këtë vendim me ankesë mbi të gjitha bazat ligjore.

 

Sekiraqa, në maj të vitit 2016 ishte dënuar me 37 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës.

 

Ndërsa Arben Berishës, si ekzekutor tani të ndjerit Riza i është shqiptuar dënim me 37 vjet burgim efektiv.

Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës me datën 30 gusht 2007. Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur e këtë proces gjyqësor – LINK