Babai i të vrarit nga polici në kazino: A ma ke vra djalin a jo, kaq po du me dit!

 

“Unë e di që asgjë nuk më shfajëson nga fajësia për rastin konkret, por është mirë që ju me i dëgju përjetimet dhe gjendjen shëndetësore dhe mendore timen”.

Kështu ka filluar rrëfimin e tij Shefki Spahiu, i akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në kazino në qytetin e Suharekës.

Polici Spahiu me gradë të rreshterit, po akuzohet se më 17 mars 2019 në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me dashje dhe në mënyrë dinake kishte privuar nga jeta 32 vjeçarin Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.

Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Sot para trupit gjykues me kryetaren Ajser Skenderi dhe gjyqtarët Artan Sjerani dhe Kymete Kicaj, i akuzuari Shefki Spahiu për herë të parë është deklaruar për ngjarjen e ndodhur më shumë se 1 vit më parë.

Para se i akuzuari të jepte mbrojtjen e tij Gjykata ka shikuar CD-të, në të cilën shihet momenti i vrasjes së ndodhur mëngjesin e datës 17 mars 2019 në kazinon ku punonte i ndjeri.

“Mbretëresha e provave” e ka cilësuar prokurori Mehdi Sefa, CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit i mungonte një plumb pas vrasjes.

Në mbrojtjen e tij të dhënë para Gjykatës, Shefki Spahiu për rreth 5 orë të plota është përgjigjur në pyetje e mbrojtësit të tij, avokatit Emrush Kastrati dhe në pyetjet e Prokurorit Mehdi Sefa.

I njëjti fillimisht ka treguar se që nga viti 2000 është pjesë e Policisë së Kosovës,  ndërsa që nga vitit 2005 me gradë është rreshter. “Në vitin 2014 kam qenë në proces për të marrë gradën Toger, por gjatë asaj kohe dikujt i ka penguar puna ime, dhe filluan me propaganda kinse unë merrem me kontrabandim e fajde”, tregoi për të kaluarën e tij rreshteri i Policisë i akuzuar për vrasje.

I njëjti tregoi që edhe më herët është përballur me aktakuzë për veprën penale të dhunimit të një të miture, por ishte shpallur i pafajshëm.

“Dhe që nga ajo ditë jeta ime ka ndryshuar për 360 shkallë”, tregoi i akuzuari.

Ai tregoi se që nga ajo kohë kishte filluar të përdorte shumë alkoolin.

“Dhe kalova nga lojërat e fatit”, tregoi ai.

Për ditën kritike i akuzuari Shefki Spahiu, tha se që nga ora 12:00 e ditës kishte filluar të konsumonte alkool, dhe kjo ka zgjatur deri në orën 03:00 të mëngjesit kur edhe kishte shkuar herën e parë në kazinonë ku ka ndodhur ngjarja kritike.

I akuzuari Spahiu tregoi se më pas ishte larguar nga kazino, për t`u rikthyer rreth orës 07:30 për të kërkuar një telefon të humbur.

Për të ndjerin Jetmir Aliaj, i akuzuari Shefki Spahiu tha se rreth një muaj para ngjarjes kritike i ndjeri ishte ankuar te menaxheri i kazinos, se këtu i akuzuari kishte derdhur ujë në një aparat të kazinos.

Lidhur me këtë ngjarje, i akuzuari Shefi Spahiu tha se kishte filluar të diskutonte me të ndjerin Jetmir Aliaj.

“Ai (Jetmiri) ka qenë i frustruar për atë punë që ka ndodh ma herët, dhe ka filluar me më sha”, ka thënë i akuzuari Shefi Spahiu.

I njëjti tregoi se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin: “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, ka vazhduar i akuzuari.

Babai i viktimës Halil Aliaj, që assesi nuk po pajtohet me formën si iu vra djali i tij, i përlotur i tha të akuzuarit se: “A ma ke vra djalin a jo, qe kaq po du me dit”.

Në fund të ditës, trupi gjykues vendosi që me datë 21 shtator, prokurori dhe avokati mbrojtës të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare, dhe 3 ditë pas kësaj seance eventualisht deri me datë 24 shtator 2020, trupi gjykues do të shpallë vendimin.

Babai i viktimës, Halil Aliaj kishte qenë dëshmitari i parë në Gjykatë, derisa nën lot kishte rrëfyer për dhimbjen që e kanë përjetuar familja pas vrasjes së djalit të tij.

I akuzuari Spahiu tha se pendohet për veprën e kryer: “Ka qenë një situatë e papritur, dhe nuk e kam pritur atë reagim të tij dhe më humbi truri“.

Në pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa, avokati mbrojtës kishte kundërshtime thuajse në secilën pyetje, duke kërkuar që të refuzoheshin pyetjet e prokurorit.

I akuzuari Spahiu në përgjigjet e tij, tregoi se vrasja ka ndodhur me armën zyrtare dhe tjetër armë nuk ka, gjithashtu rrëfeu se këtu i ndjeri i kishte shërbyer kafe pak para momentin kritik.

Prokurori i rastit Mehdi Sefa paraqiti kundërshtimet e tij në pretendimet e të akuzuarit se ka pasur një fjalosje me të ndjerin. “Kjo pasi që e pamë në video, shihet që nuk ka pasur asnjë zënkë dhe fjalosje, mirëpo i ndjeri në mënyrë të sinqertë e ka shërbyer me kafe dhe ujë, ndërsa këtu i akuzuari në mënyrë dinake ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”, tha Sefa.

Në përfundim të një seanca të gjatë, trupi gjykues vendosi që në seancën e datës 21 shtator, prokurori dhe avokati mbrojtës të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare, e pastaj i mbetet trupit gjykues të merr vendimin përfundimtar për të shpallur vendimin lidhur me akuzat për vrasje të rëndë në mënyrë dinake.

I akuzuari nëpërmjet mbrojtësit të tij kishin paraqitur 2 herë kërkesë për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit, mirëpo në të dy rastet ishin refuzuar këto kërkesa, ndërsa janë refuzuar edhe disa kërkesa për përjashtim të kryetares së trupit gjykues Ajser Skenderi, dhe për përjashtim të Gjykatës së Prizrenit nga kjo çështje, kështu kishin kaluar disa muaj deri kur kishte filluar gjykimi.

I akuzuari Shefki Spahiu  kohë më parë është rrahur nga tre persona brenda Qendrës së Paraburgimit të Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që ish-polici Shefki Spahiu po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Në qershor të vitit 2016 Shefki Spahiu ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale për keqpërdorim seksual të dy të miturave.