Pallati i Drejtësisë - FOTO Fatrion Ibrahimi - KALLXO

Babai e pranon fajin për plagosjen e të birit 6 vjeçar

R. Sh. ka dalë sot para Gjykatës së Prishtinës për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila e ngarkon atë për plagosjen e djalit 6 vjeçar.

Sipas prokurorisë me datën 10 gusht të këtij viti në një fshat të Prishtinës i akuzuari R. Sh. duke e pastruar pistoletën me ngjyrë të zezë në dhomën ku ishin duke luajtur dy fëmijët e tij nga pakujdesia i kishte shkrepur arma dhe e kishte plagosur djalin e tij 6 vjeçar R. Sh. në regjionin e kokës.

Aktakuza ishte ngritur me datën 31 tetor, por i akuzuari në konsultim me mbrojtësen e tij, avokaten Saranda Sadiku i kishte propozuar Prokurorisë negocimin mbi marrëveshjen e fajësisë.

Në Gjykatën e Prishtinës u mbajt seanca në të cilën u shqyrtua kjo marrëveshje dhe u deklaruan prokurori i rastit Armend Ahmeti, i cili tha se: “Propozoj Gjykatës që të miratohet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë, sepse e njëjta është arritur në mënyrë vullnetare pasi i akuzuari ka kuptuar pasojat e kësaj marrëveshje’’.

Propozimin e prokurorit e mbështeti edhe avokatja Saranda Sadiku, e cila nga gjykata kërkoi pranimin e marrëveshjes së fajësisë dhe lirimin nga sekuestrimi i pasaportës dhe telefonit ‘’iPhone X’’.

Sipas avokates Saranda Sadiku, pasaporta duhet t’i lirohet të akuzuarit R. Sh. pasi që duhet të udhëtojë jashtë vendit për operacionin e djalit tashmë të dëmtuarit R. Sh.

Prokuroria në marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë Gjykatës i ka rekomanduar që të akuzuarit R. Sh. për veprën penale lëndim i rëndë trupor t’i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj dhe i njëjti t`i zëvendësohet me dënim me gjobë.

Ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje rekomandoi dënim me gjobë nga 800 deri në 1000 euro.

Shpallja e vendimit do të behët nesër me datën 8 nëntor