Babai e djali dënohen me 43 vjet burgim për vrasjen e dy vëllezërve Ramaj

Janë shpallur fajtorë babë e bir, Sali e Durim Lushaj, për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt në gusht të vitit 2016 si dhe për armëmbajtje pa leje.

Sali Lushajn gjykata e dënoi me 18 vite burgim, ndërsa Durim Lushajn me 25 vite burgim.

Durim Lushaj është akuzuar për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt.

Ndërsa babai i Durim Lushajt, Sali Lushaj, po ashtu akuzohet se së bashku me Durim Lushajn kanë kryer vrasjen e Burim Ramajt.

Shpallja e aktgjykimit është bërë sot në gjykatën e Pejës nga trupi gjykues i kryesuar Violeta Husaj- Rugova.

Për këtë vrasje të dyfishtë, gjykata e Pejës në vitin 2018 e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim.

Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi me 18 vite burgim.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Vrasja e vëllezërve Ramaj ka ndodhur në vitin 2016.