Foto: KALLXO.com

Azem Syla në gjyq: Kam qenë i angazhuar në PDK, s'jam marrë me aktivitete biznesi as kurrfarë

Gjykimi ndaj ish-deputetit Azem Syla dhe 16 të tjerëve, të akuzuar për shpronësimin e tokave shoqërore në mënyrë të kundërligjshme, shpëlarje parash e legalizim të përmbajtjes së rreme, ka vazhduar sot me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari kryesor në këtë rast, i njohur si “Toka”.

Azem Syla duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Besnik Berishës, deklaroi se gjatë periudhës kohore 2005-2006 kishte qenë i angazhuar si anëtarë i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe se përveç këtij aktiviteti nuk ka pasur asnjë tjetër, as afarist as kurrfarë.

Sipas të akuzuarit Syla, fillet e kësaj aktakuze janë politike dhe se ajo, sipas tij, është orkestruar me disa njerëz në Beograd.

Për këtë, ai përmendi dëshminë e dëshmitarit N.B.

Për të akuzuarin Shaban Syla, Azem Syla tha se e ka të gjakut të tij, pasi gjyshërit e tyre kanë qenë vëllezër.

Azem Syla tha se e njeh edhe të akuzuarin Shpresim Uka, pasi që e ka dhëndër të mbesës.

Po ashtu, i akuzuari Syla tha se e njeh edhe të akuzuarin Fahredin Gashi si dhe Arton Vilen, pasi që, siç tha, me babanë e tij kishte punuar në shkollën “Bajram Curri” në Nekovc, nga viti 1972/73 e tutje.

Ndërsa, Azem Syla deklaroi se nuk i njihte të akuzuarit e tjerë.

Ai mohoi të ketë pasur ndonjë relacion biznesor apo ndonjë lloj tregtie të imtë, të mesme apo në përmasa të mëdha me Shpresim Ukën, Shaban Sylën dhe as me asnjërin nga personat tjerë të akuzuar.

Ai mohoi të ketë pasur aktivet biznesor me persona e akuzuar dhe tregoi që nuk kishe përfituar kurrë, direkt apo indirekt, nga veprimet apo mosveprimet e personave të përfshirë në aktakuzë, qoftë para periudhës 2005/2007 qoftë pas kësaj periudhe.

“I tërë rrugëtimi im, i jetës sime dhe përpjeka e jetës sime ka qenë që Kosova të vijë në këtë ditë ku jemi dhe çdo formë e paligjshme, e ndytë, ka qenë e papranueshme dhe moralisht e kam luftuar dhe kundërshtuar”, shtoi i akuzuari Syla.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, i akuzuari Azem Syla mohoi t’u ketë dhënë urdhra dhe udhëzime këtyre anëtarëve të pretenduar të grupit të organizuar kriminal apo t’i ketë nxitur ata që të transferojnë prona shoqërore në mënyre të kundërligjshme te persona fizikë.

“Këto pretendime dhe këto thënie që thuhen në aktakuzë i kam kuptuar me arrestimin tim në vitin 2016”, tha i akuzuar.

Më tej, Azem Syla shtoi se nuk e kishte nxitur asnjëherë, qoftë direkt apo indirekt, ish-kryetarin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, që të keqpërdorte pozitën e tij zyrtare, të nxjerrë vendim të kundërligjshme gjyqësore, të kryejë mashtrim në detyrë apo çfarëdo veprimi të kundërligjshëm në kuadër të funksionit të tij si kryetar Gjykate, qoftë i vetmuar qoftë në bashkëkryerje me një pjesë të grupit të përfshirë në aktakuzë. E as Sabedin Haxhiun, i cili në aso kohe kishte punuar në Drejtorinë e Kadastrit në Prishtinë.

Më tutje, Syla tha se operacionit të Policisë së Kosovës bashkë me atë të EULEX-it për ta arrestuar atë i janë gëzuar Beogradi dhe njerëzit e ligë.

Tutje ai tha se Policia nuk kishte gjetur asgjë në shtëpinë e tij për të sekuestruar si të paligjshme, përveç disa kasetave dhe telefonave të fëmijëve të tij, të cilët janë marrë dhe ende nuk janë kthyer dhe se nuk i ishte ngrirë apo sekuestruar ndonjë pasuri e luajtshme apo e paluajtshme në emrin e tij e as ndonjë shumë parash.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij se a është hera e parë që dëshmitari N.B. e ka denoncuar tek organet e hetuesisë së EULEX-it dhe të Kosovës në këtë rast apo ka ndodhur edhe më herët, i akuzuari tha se dëshmitari e kishte denoncuar edhe në raste të tjera, siç është edhe rasti “Bllaca 1”, “ku jam implikuar edhe në nivel te vrasjeve”.

Syla më tutje tregoi se ishin zhvilluar procedura hetimore por që ishin pushuar hetimet në mungesë të provave.

Seanca e radhës u caktua për më 31 mars.

Prokuroria Speciale me 25 tetor ngriti 2 aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm në mesin e të cilëve është edhe ish deputeti i PDK-së dhe ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë është ngritur nga një prokuror ndërkombëtar ndaj 22 personave dhe përbëhet nga 46 pika.

Të pandehurit akuzohen për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evazion fiskal.

https://kallxo.com/ligji/provate-prokurorit-nuk-e-bindin-gjykatesin-ne-procesin-ndaj-azem-syles/