Avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami, të dyshuar për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës, lirohen nga arresti shtëpiak

Avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami, janë liruar nga masa e arrestit shtëpiak.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Shemsie Sheholli dyshohet për veprën penale ‘ushtrimi i ndikimit’, ndërsa Isak Islami për veprën penale  ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka parashtruar kërkesë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve SH. SH. dhe I. I.,  të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë –  Departamenti për Krime të Rënda, e cila masë ka qenë në fuqi deri më datë 02.01.2025 dhe në këto rrethana të njëjtit nga kjo datë janë në mbrojtje në liri”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

03.12.2024 Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj avokates Shemsie Sheholli dhe përmbaruesit Isak Islami, mirëpo Gjykata e Prishtinës ndaj të njëjtëve kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Shemsie Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar Besim Sopi, i cili ishte në cilësinë e paditësit në kontest civil, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për veten, më 15.08.2023, ka kërkuar drejtpërdrejt shumën prej 25,000 mijë euro nga i dëmtuari Besim Sopi.

Në kërkesë thuhet se avokatja, kishte tentuar ta bënte këtë duke premtuar ushtrimin e ndikimit të padrejtë mbi vendimmarrjen e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, Burim Shala- kryetar dhe anëtarëve Nehat Idrizi dhe Huanida Pasuli, për t’ia dorëzuar aktgjykimin e çështjes, edhe pse i njëjti ishte nxjerrë më 12.07.2023 dhe i ishte dorëzuar tashmë të dyshuarës në cilësinë e avokates së palës

Tutje në kërkesë thuhet se më datë 14.08.2023, e pandehura, përkundër faktit që aktgjykimi ishte tashmë i nxjerrë dhe dorëzuar, kishte kërkuar shumën prej 25,000 euro për ushtrimin e ndikimit të padrejtë mbi vendimmarrjen e kolegjit të Gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndërsa i dyshuari tjetër, përmbaruesi Isak Islami sipas kërkesës, thuhet se në cilësinë e përmbaruesit privat, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për veten dhe për tjetrin, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare pasi që më 21.12.2023, kishte caktuar dhe ekzekutuar përmbarimin ndaj debitorit Besim Sopi në emër të përmbushjes së obligimeve sipas faturës së datës 04.12.2023, shumën prej 25,454.00 euro, përshirë të gjitha shpenzimet procedurale.

Tutje sipas kërkesës së prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.COM thuhet se Islami përmes bllokimit të llogarisë bankare dhe transferimit të mjeteve në llogarinë e tij, e cila procedurë ishte kryer në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore dhe Ligjin për Procedurën Kontestimore dhe pa dijeninë e debitorit, për çka i njëjti ishte vënë në dijeni vetëm pasi kishte vërejtur mungesën e mjeteve në llogarinë bankare.

Gjithnjë sipas kërkesës fatura e lëshuar në fjalë nga kreditorja e në këtë rast nga e pandehura Shemsie Sheholli jo vetëm se është e panënshkruar nga debitori, por në shkresat e lëndës nuk gjendet asnjë provë shkresore që ndonjëherë është njoftuar debitori paraprakisht për detyrimet që pretendohej që i kishte ndaj kreditores Shemsie Sheholli.

Tutje në kërkesë, thuhet se të dëmtuarit Sopi nuk i ishte dhënë ndonjëherë mundësia që eventualisht ta përmbushë në mënyrë vullnetare detyrimin, kjo pasi në shkresat e lëndës i pandehuri Islami dy herë kishte provuar përmes Postës t’ia dërgojë propozimin për përmbarim dhe atë më datë 21.12.2023 dhe 04.01.2024 e në të cilat fletë kthesa shkruhej adresa jo e plotë, me çka vërtetohej fakti se debitori nuk kishte qenë i njoftuar asnjëherë për procedurën e përmbarimit.

Kështu, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

KALLXO.COM kishte raportuar më 02.12.2024 se avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami janë ndaluar nga Prokuroria e Prishtinës për 48-orë.

Ndërsa më 03.12.2024 KALLXO.COM kishte raportuar se Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte kërkuar 1 muaj paraburgim ndaj avokates Shemsie Sheholli dhe përmbaruesit Isak Islami ndërsa pas disa orësh  më 03.12.2024 kishte raportuar se ndaj të njëjtëve është caktuar masa e arrestit shtëpiak.