Arkiv - Foto: RFE/RL/REL

Avokatja kërkon dënim më të lartë për të akuzuarin për dhunim dhe vrasje të fëmijës Kujtim Veseli

Gjykata e Prishtinës, sot pas 495 ditëve nga dhunimi dhe vrasja e fëmijës së mitur të nacionalitetit rom Kujtim Veseli, shpalli fajtor të akuzuarin S.O. duke e dënuar me 25 vjet burgim.

S.O. u gjet fajtor për veprat penale të dhunimit dhe vrasjes së rëndë.

Për veprën penale të vrasjes S.O. u dënua me 10 vjet burgim, ndërsa për dhunim u dënua me 20 vjet burgim duke i shqiptuar kështu një dënim unik me 25 vjet burgim.

Avokatja Rina Kika, përfaqësuese e familjes së dëmtuar të viktimës Kujtim Veselit, për KALLXO.com ka thanë se e mirëpret vendimin e gjykatës me të cilin i akuzuari u gjet fajtor në dy pikat e akuzvs por kërkoi dënim më të lartë ndaj tij.

“Megjithatë, konsiderojmë se gjykata ka mundur t’ia shqiptojë dënimin maksimal prej 35 vjetësh burgim të akuzuarit, meqë Kodi Penal e kufizon gjykatën vetëm për sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit kanë qenë nën moshën 21 vjeç. Por, jo edhe për shqiptimin e dënimit me burgim deri në 35 vjet”, ka thënë avokatja Rina Kika.

Ajo ka paralajmëruar se vendimin me 25 vjet burgim do të dërgojë në Gjykatën e Apelit për ta rritur dënimin.