
Gjykimi në rastin 'Toka'. Foto: Kallxo.com
Avokatit-dëshmitar nuk i kujtohet autorizimi për tokat në gjykimin e Azem Sylës
Gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar, pastrim parash, shmangie nga tatimi, mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme ka vazhduar të hënën edhe me dëgjimin e avokatit Mexhid Syla në cilësinë e dëshmitarit.
Dëshmia e avokatit Mexhid Syla lidhet me një parcelë të tokës së familjes Stevic.
Sipas pikës së 12 të aktakuzës, i akuzuari Shaban Syla ngarkohet për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme sepse duke e ditur se Vukasin Stevic kishte mashtruar gjykatën duke e paraqitur familjen Stevic si pronare të parcelave të tokës në Llapsnellë të Cagllavicës, ai kishte shfrytëzuar 4 autorizime të nënshkruara nga familja Stevic e të vërtetuara më 4 maj 2006 ne Gjykaten Komunale në Graçanicë.
Sipas aktakuzës, Fillimisht këto 4 autorizime i janë dhenë avokatit Edvard Gashit për shitjen e parcelave të tokës në Llapnasellë mirëpo më vonë këto autorizme ishin bartur te Shaban Syla i cili i ka përdorur këto autorizime për të transferuar pronesinë e parcelave te persona të tjerë nga data 29 maj deri me 13 qershor 2006
Në lidhje me këto autorizime në cilësinë e të pandehurit ishte marrë në pyetje dhe avokati Mexhid Syla.
Në seancën e mbajtur të hënën, Mexhid Syla deklaroi se nuk i kujtohet kjo familje.
“Kur më kanë thirrur për të deklaruar në cilësinë e të pandehurit nuk më është kujtuar fare për familjen Stevic dhe as për atë autorizim”, tha Mexhid Syla.
“Ndërsa kur ma kanë prezantuar autorizimin në prokurori e kam parë që teksti i autorizimit nuk ishte i imi madje edhe për nënshkrimin e atij autorizimi dyshoj”, vazhdoi tutje dëshmitari Mexhid Syla.
“Nuk e di se si ka ardhur ai autorizim në zyrën time, mirëpo bashkëpunëtori im ka pasur raste kur ka pranuar autorizimin e dorëzuar nga pala sipas të cilit kam vepruar unë”, shtoi Mexhid Syla.
“Poashtu mua nuk më kujtohet t’i kem parashtru kërkesë Drejtoratit të Kadastrit në Prishtinë dhe dyshoj shumë që nënshkrimi në atë shkresë të jetë i imi”, shtoi dëshmitari Syla.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk i kujtohet që ndonjëherë ta ketë përfaqësuar familjen Stevic.
Mexhid Syla tha se me të akuzuarin Shaban Syla njihet nga një rast penal, por nuk iu kujtua nëse në atë rast e kishte mbrohjtur Shaban Sylën apo të akuzuarin bashkëakuzuarin e tij.
Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.