Avokati nuk ishte pajisur me akuzën dhe shkresat e lëndës, dështon të nisë gjykimi për narkotikë

Në mungesë të kushteve ligjore ka dështuar të nisë seanca fillestare ndaj të akuzuarit Besnik Reshani, të cilin Prokuroria po e akuzon për veprën blerja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe veprën penale posedimi i paautorizuar të armëve.

Shkaku i shtyrjes së seancës ishte pasi avokati mbrojtës i të akuzuarit Reshani, Durim Nevzati deklaroi se nuk ishte pajisur me akuzën dhe shkresat e lëndës nga ana e prokurores Ervehe Gashi.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, gjyqtarja Raima Elezi konstatoi se shqyrtimi i sotëm fillestar nuk do të mbahet pasi nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, të njëjtin e caktoi për datën 26 korrik 2021.

Sipas akuzës, me 7 gusht 2020, në Prizren, i pandehuri Besnik Reshani ka poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes apo shpërndarjes së tyre, në atë mënyrë që kishte përgatitur për shitje substancën narkotike të llojit “Marihuanë” të cilat i kishte paketuar në 14 foli alumini të vendosura në një qese plastike dhe i kishte marr me veti, mirëpo në momentin kur e vëren Policinë e gjuan narkotikun në një shportë me mbeturina të vendosura në shesh dhe duke vrapuar largohet nga vendi i ngjarjes ku më vonë arrestohet nga Policia.

Për këtë nga Prokuroria akuzohet se ka kryer veprën blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Po ashtu, në aktakuzë përshkruhet se i pandehuri Besnik Reshani deri me datën 7 gusht 2020, ka mbajtur në pronësi dhe posedim në kundërshtim me ligjin armën-shufrën e zgjatshme me mbishkrimin “Police Using” e cila karakterizohet si armë e ftohtë e për të cilën duhet leje nga organi kompetent, këtë armë policia ia kishte gjetur në trupin e të pandehurit.

Me këtë, i pandehuri nga Prokuroria akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.