Avokati komenton dënimin me burg të përjetshëm të ish-rreshterit policor
Avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Shefki Spahiu, dënimin me burgim të përjetshëm të klientit të tij nga Gjykata në Prizren e konsideroi shumë të ashpër.
Ai paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Patjetër që do paraqesim ankesë”, tha ai.
Kastrati për KALLXO.com tha se “ky dënim kapital është shumë i ashpër për një vrasje që ne e konsiderojmë të provokuar derisa të vërtetohet e kundërta”.
“E dyta, asnjëherë gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk kemi qenë të barabartë me Prokurorin e Shtetit sepse të gjitha propozimet tona janë refuzuar”, tha avokati Kastrati.
Gjithashtu avokati Kastrati përmendi si të pabazuar refuzimin e Gjykatës kur kishte propozuar që i akuzuari Shefki Saphiu të dërgohet për ekzaminim psikiatrik.
Ndërsa në fund tha se ky është dënim si rezultat i një gjyqi të paragjykuar.
“Ky dënim është për shkak se prej fillimit jemi paragjyku”, tha avokati Kastrati.
Shefki Spahiu u dënua me burgim të përjetshëm nga një panel gjykatësish në gjykatën e Prizrenit.
Shefki Spahiu, që deri ditën kritike mbante gradën e rreshterit në Policinë e Kosovës, u gjykua për veprën penale vrasje e rëndë.
Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock” që ishte arma zyrtare, dhe të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.
Kurse për veprën penale manipulim me prova qysh në fillim të gjykimit i akuzuari Spahiu kishte pranuar fajësinë.
Në një seancë të gjatë më datën 30 korrik i akuzuari Shefki Spahiu për herë të parë është deklaruar për ngjarjen e ndodhur më shumë se 1 vit më parë.
Babai i të vrarit nga polici në kazino: A ma ke vra djalin a jo, kaq po du me dit!
I njëjti duke folur për momentin kritik kishte thënë se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin: “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, kishte deklaruar i akuzuari Shefki Spahiu.
Mes lotësh e shumë emocion, kishte dëshmuar edhe Halil Aliaj, babai i të ndjerit.
“Jemi sëmurë nga dhimbja e madhe që kemi”, kishte treguar ai duke arsyetuar lotët që s’po i ndaleshin.
Vrasja në kazinon e Suharekës: Babai qanë në gjykimin për policin