Avokati i të arrestuarit pretendon se klienti i tij drogën e kishte për ta festuar ditëlindjen
Dardan Kryeziu, i dyshuar për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve dhe për armëmbajtje pa leje’ sot më datë 09.08.2024 doli para Gjykatës së Prizrenit. Në seancë u paraqit kërkesa për caktimin e paraburgimit nga Prokuroria e Prizrenit, para gjyqtarit të procedurës parapake Artan Sejrani.
Prokurorja e Shtetit, Ervehe Gashi gjatë seancës së datës 09.08.2024 kërkoi që të pandehurit Dardan Kryeziu t`i caktohet paraburgimi.
Gjatë seancës, prokurorja potencoi që i pandehuri po dyshohet për dy vepra penale për atë të posedimit të paautorizuar me narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.
Në anën tjetër, u deklarua edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokat Blerim Mazreku, duke e kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
“Theksoj që gjatë konsultave i mbrojturi im ka theksuar se lëndët narkotike të gjetura te ai, i ka pasur për vete dhe veçanërisht për faktin se pas pak orësh nga koha kur është arrestuar do ta festonte ditëlindjen’’– shtoi avokat Blerim Mazreku.
Ndërsa, i pandehuri Dardan Kryeziu tha se e mbështet në tërësi fjalët e avokatit të tij.
Nga dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, bëhet e ditur se i pandehuri Dardan Kryeziu më datë 07.08.2024 rreth orës 23:15 fshatin Grazhdanik – Komuna e Prizrenit, pa autorizim ka poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes dhe ofrimit për shitje.
Lëndët narkotike u gjetën gjatë kontrollit nga ana e Policisë, në automjetin dhe shtëpinë e të dyshuarit në fjalë.
Në dosje theksohet se Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy qese plastike të mbushura me substancë narkotike e që dyshohet se janë të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme 4.33 gram. Një qese plastike të mbushur me substancë narkotike të dyshuara për marihuanë në peshë prej 1.12 gram, dy qese plastike të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për marihuanë në peshë prej 0.89 gram si dhe 270 euro që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike.
Ndërsa, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit të lartpërmendur, e cila gjendet në Prizren, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një enë plastike të mbushur me substancë narkotike të dyshuar për marihuanë në peshë prej 14.72 gram, një qese plastike të mbushur me substancë narkotike të dyshuar për kokainë me peshë prej 1.32 gram.
Gjithashtu, gjatë kontrollit është gjetur një grinder me mbetje të marihuanës dhe një peshore digjitale mjete këto që përdoren për përgatitjen e substancave narkotike për shitje.
Këso dore pretendohet se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve’’.
Sipas dosjes së prokurorisë thuhet se i pandehuri Dardan Kryeziu deri më dt. 07.08.2024 në Prizren në Lagjen Arbanë, e pikërisht në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi dhe posedim në mënyrë të kundërligjshme armën – pistoletën.
Me këto veprime, Prokuroria pretendon se i dyshuari në fjalë ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.