Gjykimi ndaj Shaban Gogajt - 31.01.2022 - FOTO KALLXO.com

Avokati i Shaban Gogajt i caktuar nga gjykata gjobitet përsëri

Gjykata e Pejës në seancën e sotme i ka shqiptuar gjobë mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Gëzim Kollqaku, i cili është caktuar me vendim të gjykatës si mbrojtës i Gogajt.

Kollqakut i është shqiptuar gjobë në shumë prej 250 euro, nën arsyetimin se po shkakton zvarritje të procesit gjyqësor, pasi i njëjti nuk është paraqitur në seancë.

Trupi gjykues tha se pretendimet e avokatit Kollqaku të paraqitura në kërkesën e tij për tërheqje nga ky rast, nuk janë arsye ligjore pasi vendimet e OAK për moscaktim të avokatit sipas detyrës zyrtare janë shfuqizuar.

“Po ashtu fakti se familjaret nuk e dëshirojnë si avokat Kollqakun, pasi ata kanë një avokat tjetër qe e kanë zgjedhur sipas dëshirës, nuk është arsye sepse nuk është dëshirë e tyre”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Husaj Rugova.

Gjykatësja shtoi se i akuzuari ka të drejtë të angazhojë në çdo kohë avokat sipas vullnetit të tij.

Trupi gjykues elaboroi edhe kërkesën e avokatit për tërheqje nga mbrojtja, arsyetimi i avokatit ka qenë lidhur me vendimin e OAK për mos me angazhuar mbrojtës në këtë çështje penale.

Tutje avokati Kollqaku ka njoftuar gjykatën se ka pranuar një email nga OAK që e paralajmëron se mosrespektimi i vendimit të OAK-së nënkupton shkelje të rëndë që mund të dërgoj në humbje të licencës.

Në anën tjetër avokati i familjes së të dëmtuarit kërkoj që seancat të caktohen me shpesh duke shtuar se familja e të dëmtuarit duhet të trajtohet me respekt.

Gjykatësja tha se seancat caktohen në koordinim me anëtarët e tjerë të trupit gjykues.

Seanca e radhës u caktuar më 16 shkurt 2022.

Ndryshe Gjykata e Apelit e ka vërtetuar gjobën tjetër që kishte shqiptuar gjykata ndaj Kollqakut për zvarritje të procedurës.

Kallxo.com ka raportuar për këtë çështje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zvarritjet e këtij procesi që i gjeni në këtë LINK.