Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Avokati i Sami Lushtakut paralajmëron ankesë ndaj dënimit me gjobë prej 2 mijë eurove

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, sot u dënua me gjobë për kërcënimin që i kishte bërë avokatit Gazmend Halilaj.

Gjykatësja Alltën Murseli shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro ndaj të akuzuarit Sami Lushtaku.

Por avokati Amir Bunjaku, mbrojtës i të akuzuarit Lushtaku, paralajmëroi se ndaj këtij vendimi do të paraqesin ankesë.

Bunjaku për KALLXO.com është përgjigjur se “në momentin që pranojmë aktgjykimin me shkrim do të ushtrojmë ankesë lidhur me lartësinë e dënimit”.

Lashtaku në seancën e djeshme e kishte pranuar fajësinë për kërcënimin “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me lanë“, duke thënë se Gazmend Halilaj e kishte nxitur atë të thoshte ashtu.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në Facebook kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Drenas, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

I akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mitsubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nissan Qashqai” e ka goditur veturën  e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas Prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku po akuzohet se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove  në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur  pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zastava” të kalibrit 9 x 19 mm.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit të vazhdojë paraburgimin.

Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që vetura e markës “Mitsubishi” dhe pistoletat e tipit “ Ekol” dhe “Crvena Zastava” të konfiskohen.