
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Avokati i popullit ka refuzuar ankesën e Valdete Dakës
Valdete Daka pas 11 vitesh që kishte mbajtur postin e kryesueses së KQZ-së më 14 qershor 2021 ishte shkarkuar me vendim të presidentes Vjosa Osmani.
Ndaj vendimit për shkarkim Valdete Daka iu drejtua avokatit të populliit për vlerësimin e këtij vendimi të nxjerrë nga presidentja Vjosa Osmani.
Avokati i popullit njofton ka refuzuar kërkesën e Valdete Dakës për vlefshmërinë e vendimit të presidentes Vjosa Osmani për ndërprerjen e mandatit të saj si kryesuese e KQZ-së.
Refuzimin e kësaj kërkese e ka bërë sipas Ligjit për Avokatin e Popullit i cili përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar.
“Në rastin konkret Valdete Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Avokati i Popullit ka gjetur se kërkesa e Valedete Dakës është çështje ligjore që nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e Vendimit të Presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim
Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka gjetur se Valdete Daka, nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike kundër Vendimit të Presidentes.
Për këtë fakt avokati i popullit është bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese në rastin Fadil Maloku vs Presidenti i Kosovës i datës 18 nëntor 2013.
“Avokati i Popullit është bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese aktvendimi për Papranueshmëri në Rastin Nr. KI142/13, i datës 18 nëntor 2013, parashtrues Fadil Maloku, lidhur me Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr.686-2013, të 6 shtatorit 2013, sipas të cilës gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë mjetet efektive juridike, të cilat duhet të shterohen para se çështja të ngritët në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftim.