Avokati i Lushtakut ende nuk e ka pranuar aktgjykimin për rastin 'Arratisja nga QKUK-ja'

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të akuzuarit e tjerë me 14 prill të këtij viti ishte liruar nga akuza për ‘Arratisjen nga QKUK-ja’, në maj të vitit 2014 së bashku me Ismet Haxhën e Sahit Jasharin.

Poashtu lidhur me këtë pikë të akuzës ishin liruar edhe të gjithë të akuzuarit e tjerë.

Por Gjykata e gjeti fajtor Lushtakun për 2 arratisjet në muajin gusht dhe shtator të 2015 nga Dubrava, për të cilat i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.

KALLXO.com, ka kontaktuar me avokatin Artan Qerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku për të ditur nëse i njëjti e ka pranuar aktgjykimin me shkrim lidhur me këtë çështje penale.

“Jo ende nuk e kam pranuar aktgjykimin, e po ashtu nuk jam i informuar për ankesën eventuale të Prokurorisë”, tha ai.

KALLXO.com, me datat 6 dhe 7 maj,  ka pyetur edhe Prokurorinë Speciale, zyrtarin për informin Ekrem Lutfiun nëse prokurorja e çështjes Florije Shamolli, kishte pranuar aktgjykimin dhe nëse ndaj të njëjtit do të ushtronte ankesë në Gjykatën e Apelit, por nuk kemi marrë përgjigje.

Kujtojmë se vepra penale arratisja e personit të privuar nga liria, e pika e IV-të e akuzës që ka të bëjë me arratisjen e Lushtkut, Haxhës dhe Jasharit sipas Prokurorisë të ndodhur në maj të 2014, do të arrijë parashkrimin absolut me datën 22 maj 2020.

Prokuroria e EULEX-it, me 17 nëntor 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetairt të Skenderajt Sami Lushtaku për arratisjen e tij të trefishtë nga institucioni ku ishte në paraburgim për rastin “Drenica”.

Prokuroria thotë se arratisja e parë e Sami Lashtakut, kishte ndodhur ndërmjet datave 20 deri në 22 maj të vitit 2014.

Arratisja e 22 majit 2014 nga QKUK

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha ndërmjet orëve të mëngjesit të datës 20 maj  2014 dhe orëve të mbrëmjes së datës 22 maj 2014, në objektet e Spitalit Rajonal në Prishtinë, duke vepruar në bashkëkryerje dhe sipas një plani të pajtuar ndërmjet tyre deri sa kanë qenë në paraburgim ata kanë ikur nga dhomat e spitalit në të cilat kanë qenë në mbajtje për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të pretenduar dhe janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kane qenë në mbajtje në bazë të një vendimi të ligjshëm që urdhëron privimin e tyre nga liria.

Prokuroria thotë se të akuzuarit Nexhip Shatri dhe tani i ndjeri Sami Gjoka, duke qenë në cilësinë e mjekëve në QKUK, kanë lëshuar raporte të rreme mjekësore në bazë të të cilave kanë kërkuar ekzaminime për të akuzuarin Sami Lushatku për të mundësuar transfere të rregullëta në spital ku ai dukshëm ka gëzuar masa më pak kufizuese, ku ka qenë në gjendje t’i shmanget mbikëqyrjes korrektuese e përfundimisht edhe të arratiset.

Prokuroria për këtë arratisje ka ngarkuar oficerët korrektues Bashkim Dervishollin, Valon Behramaj dhe Argjend Behramaj, sepse si oficerë korrektues nuk kaanë mbajtur vigjilencën e duhur dhe të vazhdueshme mbi të paraburgosurit duke u mundësuar atyre të ikin nga mbikëqyrja korrektuese, t’i ikin drejtësisë dhe të gëzojnë lirinë e kundërligjshme.

Kësaj aktakuze nuk i ka shpëtuar as drejtori i Qendrës së Paraburgimit të Prishtinës, Emrush Thaçi, të cilin prokuroria e akuzon se ai duke keqpërdorur detyrën zyrtare nuk  e zbatuar me qëllim detyrat e tij konform ligjit duke u mundësuar të akuzuarve Lushtaku, Haxha dhe Jasharit arratisjen nga QKUK-ja.

Prokuroria thotë se Emrush Thaçi u ka mundësuar arratisjen të akuzaurëve me qëllim të ngritjes në detyrë dhe të bëhej Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Prokuroria e lidhi arratisjen e të akuzaurëve nga QKUK-ja edhe me të akuzuarin Shemsi Hajrizi i cili duke qenë ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm në maj të vitit 2014, publikisht kishte refuzuar t’a zbatonte vendimin e gjykatësit të EULEX-it, për transferimin e të paraburgosurve nga burgu i Dubravës në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë.

Prokuroria thotë se Hajrizi, ka nxitur stafin korrektues vartës të tij që të kundërshtojnë zbatimin e vendimit.

Aktakuza thotë se personat që i kanë ndihmuar Sami Lushtakut të arratiset dhe të fshihet në një vend të panjohur nga data 20 maj deri me 22 maj ishin Mërgim Lushtaku dhe Dardan Geci.