Avokati i Kadri Veselit: Prokuroria në Hagë në kontakt me njerëz të Shërbimit Sekret Serbe kundër ish-krerëve të UÇK-së

Avokati i Kadri Veselit ka zbuluar se një person dhe jo vetëm i Shërbimit Sekret Serb ka bashkëpunuar me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke ofruar prova të rrejshme kundër Hashim Thaçit dhe Veselit.

Në parashtresën e argumentuar nga Ben Emmerson thuhet se dëshmitari ka implikuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në rrjedhjen e dokumenteve për të cilat janë dënuar ish-krerët e veteranëve të luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

“Në tetor të vitit 2022, një dëshmitar doli për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për dokumentet e zbuluara që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj para KS [REDAKTUAR] këtë vit” – ka filluar shkresën e tij Ben Emmerson.

Por më pas ky dëshmitar ka tërhequr deklaratën e tij, duke pohuar se ishte nxitur që të gënjente.

“Këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm kishte gënjyer, por se ishte vënë në gënjeshtër nga një informator i cili (i) ka qenë në kontakt të rregullt me ​​PSP-në; (ii) duket se ka qenë pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh të gjykimit; dhe (iii) pretendon se ka pasur kontakte të rregullta, të drejtpërdrejta, me Prokurorin e Specializuar” – thuhet në parashtresë.

Sipas Emmerson, dëshmitari dhe personi që e ka nxitur dalin të kenë lidhje me Shërbimin Sekret Serb.

“Më (redaktuar), (redaktuar) tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme, duke rrëfyer se ai ishte ushqyer me informata nga një person i quajtur (redaktuar) i cili bashkëpunon ngushtë si me inteligjencën serbe ashtu edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar” – thuhet në shkresë.

Madje, ky dëshmitar, sipas Ben Emmerson, gjatë intervistës ka përshkruar takimin e tij me zyrtarë serbë në Beograd.

“Transkripti e bën të qartë se (redaktuar) ka një marrëdhënie me Shërbimin Sekret Serb. Në një moment të intervistës, ai informoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth planeve të tij për të udhëtuar në Beograd (redaktuar) ku do ta takonte burimin e tij (redaktuar), në mënyrë që të ishte në gjendje të siguronte më shumë përgjigje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar” – ka sqaruar më tej avokati.

Dëshmitari, sipas avokatit, ka akuzuar Thaçin e Veselin se kanë paguar zyrtarë serbë për t’i marrë dokumentet e Prokurorisë, për t’i paraqitur më pas në publik.

“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017. Sipas vlerësimit të mbrojtjes, (redaktuar) ka ngritur pretendime dhe ka dhënë komente për më shumë se 60 individë gjatë bisedave të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mënyrë rutinore, ai ka ofruar ose pretenduar ta vërë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kontakt me persona relevantë për hetimet” – thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Për më tepër, avokati përmend një numër të personave të dërguar në Gjykatën Speciale nga një individ.

“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017” – thuhet mes tjerash në parashtresë.

Avokati Emmerson ka konsideruar se ky skandal është katastrofik për integritetin e rastit të Prokurorisë kundër krerëve të UÇK-së.

“Në zemër të rastit të Prokurorisë në dukje është një ndërmjetësues i besueshëm, i cili ka udhëzuar një dëshmitar të dalë me gënjeshtra, në të cilat Prokuroria është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve. Akuza të tilla janë potencialisht katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë, duke marrë parasysh shtrirjen e kontakteve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me (redaktuar). Çdo prokuror etik do të kishte kuptuar menjëherë pas marrjes së atij kontakti të dytë me (redaktuar) cilat mund të ishin implikimet për rastin e tij dhe do të kishte ndërmarrë menjëherë hapa për të hetuar shkallën e kontaminimit”- thuhet në shkresë.

Parashtresën e plotë mund ta lexoni në web faqen e Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri për ish- krerëve e UÇK-së.

Ata po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.