Ish-ministri Ferid Agani në një seancë gjyqësore në rastin "Stenta" - Foto: KALLXO.com
Avokati e quan skandaloz dënimin e ish-ministrit Agani, kërkon në Apel lirimin e tij
Gjykata e shkallës së parë me 26 prill të këtij viti e kishte shpallur fajtor ish ministrin Ferid Agani duke e dënuar me 2 vite e 6 muaj dënim me burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ish ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.
Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Agani, avokati Adem Vokshi, kishte parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit dhe kishte kërkuar nga ajo që ta lirojë klientin e tij.
Në ankesën e siguruar nga KALLXO.com, shihet se Vokshi e konteston kompetencën e ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të përfaqësuar nga Prokuroria Speciale.
Sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë, nuk parashihet që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorët në këtë zyrë të kenë kompetencë për të paraqitur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte shkruar Vokshi në ankesë.
Në ankesë thuhet se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kompetencat dhe përgjegjësitë e veta i ushtron pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, ku ka kompetencë ekskluzive për lëndë në shkallë të tretë pranë mbi të gjitha lëndët që përfshijnë mjetet e jashtëzakonshme juridike.
Gjithnjë sipas ankesës së avokatit Vokshi, thuhet se nuk ekziston asnjë vendim me të cilin Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ta ketë bartur lëndën te Prokuroria Speciale edhe pse në gjykatë vazhdimisht është përfaqësuar nga Prokuroria Speciale.
Sipas ankesës, gjykata vendimin nuk e ka përpiluar në përputhje me dispozitat ligjore sepse në hyrje të aktgjykimit kishte cekur se aktakuza është përpiluar nga Prokuroria Speciale e në fakt aktakuza ishte ngritur nga Zyra e Prokurorit të Shtetit ndërsa ishte përfaqësuar nga Prokuroria Speciale.
Në ankesë thuhet se gjykata nuk ka shënuar datën e përpilimit të vendimit që tregon se është përpiluar jashtë afatit ligjor prej 3 muajve.
Vokshi pretendon se gjykata nuk i ka përfshirë në aktgjykim edhe provat e dorëzuara me datën 19 shkurt 2019, poashtu edhe provat e tjera nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë.
Gjithashtu Vokshi e parashtron te gjykata e Apelit edhe çështjen se si gjykata dy ekspertët Bali Morinën dhe Milaim Aliun, ndonëse iu kishte lexuar vërejtja se janë duke u dëgjuar në cilësinë e ekspertit, në aktgjykim i kishte konstatuar si deklarata të dëshmitarëve.
Ndërsa lidhur me vërtetimin e gabueshëm të gjendjes faktike Vokshi në ankesë kishte thënë se gjykata gabimisht ka vërtetuar faktin lidhur me mandatin e ish-ministrit Ferid Agani, sepse aktakuza ngarkon Ferid Aganin se ka keqpërdorur pozitën nga data 22 prill 2012 deri më datën 31 dhjetor 2015, ndërsa Ferid Agani me datën 09 dhjetor 2014 ishte zgjedhur Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ankesa thotë se Gjykata kishte konstatuar gabimisht se Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte lidhur marrëveshje vetëm me dy spitalet private IMH dhe EDA, e në fakt MSH kishte lidhur marrëveshje me 9 spitale private.
Ankesa thotë se Gjykata në mënyrë skandaloze kishte konstatuar se si Ferid Agani nuk ka respektuar procedurat e prokurimit publik edhe pse marrëveshjet me spitalet private nuk ishin kontrata publike andaj edhe nuk rregulloheshin me Ligjin mbi prokurimin publik pra nuk vlenin procedurat e prokurimit.
Poashtu, sipas ankesë, pretendohet se Gjykata e ka shpallur Ferid Aganin fajtor për dëmin prej 4.5 milionë euro pa u dëgjuar asnjë herë përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe pa asnjë ekspertizë financiare.
Pas veçimit të këtij rasti dhe ndarjes në tri lëndë të njohura si ‘’Stenta’’, prokuroria ende vazhdon të qëndrojë pranë dëmit prej 4.5 milionë euro në secilën lëndë e që dëmi që kërkohet tani nuk është 4.5 milionë euro por 13.6 milionë euro.