Auditori i KEK-ut dëshmon në gjykimin për tenderin e maicave

Në gjykimin e ish-drejtorit menaxhues për siguri industriale në KEK, Enver Hoxhës, i akuzuar për një tender për bluza (maica), sot ka dëshmuar Dem Bogaj, auditor i lartë në KEK.

Dëshmitari tha se me kërkesë të drejtorit të KEK-ut më 2015 kishte bërë një auditim, gjatë të cilit fillimisht kishte analizuar çështjen e referencës për operatorin ekonomik, e cila ishte lëshuar nga tani i akuzuari.

Sa i përket çështjes së maicave ai tha se kjo temë ishte trajtuar dhe drafti ishte përpiluar nga auditimi financiar dhe më vonë ishte dorëzuar te menaxhmenti në auditim.

Sipas dëshmitarit, disa nga konstatimet kanë qenë: ndryshimi i termave të referencës, tejkalimi i njësive-maicave, afati i gjatë i implementimit që nuk është karakteristikë për kontratat kornizë.

“Ndonëse kishim të bëjmë me një kontratë kornizë, ku sasitë e përafërta të saj ishin 20, gjatë implementimit sasia kishte arritur deri në 4.000 copë”, tha dëshmitari.

I pyetur se në cilën kontratë ishte bazuar kur ishin kërkuar furnizimet me maica, për pajisje mbrojtëse në punë dhe se porosia e bërë nga i pandehuri a ka qenë në përputhje me specifikat e kësaj kontrate, dëshmitari deklaroi se në kontratën kornizë kanë qenë të përcaktuara sasitë prej 20 copë.

Po ashtu, i pyetur nëse i akuzuari ka qenë i autorizuar të bëjë porosinë e maicave, ai u përgjigj se i akuzuari nuk ka pasur të drejtë të bëjë porosinë për furnizimin me maica sipas këtij lloti.

Më tutje, dëshmitari deklaroi se në kontratë është dhënë vetëm çmimi për njësi, ndërsa nuk është përcaktuar sasia e tyre.

Sipas dëshmitarit Bogaj, kontrata kishte dy llote, njëri ishte i dedikuar për zjarrfikësit e tjetri ishte për furnizim me këpucë dhe çizme për të gjithë KEK-un.

“Nuk është kontestuese se ju keni qenë projekt-menaxher por operativisht kontrata ka qenë vetëm për zjarrfikësit”, iu drejtua të akuzuarit ai.

I akuzuari dëshminë e Bogajt e konsideroi të njëanshme.

I pyetur nga trupi gjykues se sipas gjetjes suaj cilat kanë qenë veprimet e të akuzuarit me të cilat ka konsistuar në shkelje gjatë porositjes së maicave, ai tha se më herët është bërë auditimi financiar lidhur me maicat në të cilin është konstatuar përgjegjësia e të akuzuarit dhe ndaj të njëjtit është paraparë masë disiplinore, e cila nuk ishte shqiptuar.

Pyetjes se a ka thënë dikush prej zinxhirit të personave përgjegjës të ndalohej implementimi pjesës për maicat sepse është në kundërshtim me kontratë ai deklaroi se njëri nga zyrtarët e prokurimit, Ymer Dragusha, e ka ndalë procedurën e ekzekutimit të pagesave për 2.000 maica, i cili përmes email-it e kishte kontaktuar operatorin ekonomik.

Në pyetjen e anëtares së trupit  gjykues lidhur me  ndryshimin e njësive, dëshmitari deklaroi se sipas kontratës janë kontraktuar vetëm maica pa specifika ndërsa në fillim gjatë procedurës së prokurimit është përshkruar në raport se  përbërja e këtyre maicave duhet të jetë rezistente ndaj zjarrit ndërsa më vonë janë hequr këto karakteristika dhe ka mbetur vetëm bluzë me krahë të shkurtër-maica dhe logoja e KEK-ut.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar propozoi që të thirret auditori Mentor Krasniqi i cili ka përpiluar raportin konfidencial ne lidhje me kontratën e datës 19.07.2011.

Prokuroria deklaroi se nuk konsideron se është i nevojshëm dëgjimi i këtij dëshmitari sepse në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme. Të njëjtin mendim e shprehu edhe mbrojtja.

Kryetari i trupit gjykues konstatoi se e dëmtuara – KEK-u, më 05.04.2019 Gjykatës i ka dërguar raportin konfidencial për auditimin e brendshëm në lidhje më kontratën. Raporti, sipas Gjykatës, as nuk është i nënshkruar, as i protokolluar, përkatësisht i evidentuar dhe kërkon nga pala e dëmtuar ta njoftojë Gjykatën se a posedon këtë raport që propozon ta administrojë si provë të nënshkruar dhe të protokolluar sipas rregullave administrative.

Pala e dëmtuar nuk mundi të deklarohej nëse ky raport është i nënshkruar-protokolluar sipas rregullave të parapara andaj trupi gjykues pas dëgjimit të palëve merr aktvendim me te cilin refuzohet dëgjimi i dëshmitarit Mentor Krasniqi.

Shqyrtimi gjyqësor shtyhet për më 16.10.2019.

Ky rast është monitoruar në vazhdimësi nga KALLXO.com.

https://kallxo.com/drejtori-e-ish-drejtori-i-kek-ut-deshmitare-ne-gjykimin-e-enver-hoxhes-per-maicat/

Në këtë seancë u vendos që shqyrtimi gjyqësor të fillojë rishtas për shkak të ndryshimit të trupit gjykues dhe kalimit të më shumë se tre muaj që nga seanca e fundit e mbajtur për këtë rast.

www.kallxo.com