Momneti i dorëzimit të gjashtë shtetasve turq në Aeroportin Ndërkombetarë të Prishtinës

Asnjë arsyetim në aktakuzë lidhur me konstatimin se Presidenti nuk ishte i njoftuar për deportimin e 'gylenistëve'

Aktakuza ‘voluminoze’ e Prokurorisë Speciale e cila konstatoi se ish-Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj nuk ishin të informuar në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk përmban brenda vetës asnjë arsyetim se si është arritur deri te ky përfundim.

Asnjë dëshmitar dhe asnjëri nga të akuzuarit të paktën siç është përshkruar në aktakuzë nuk e ka potencuar se ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Kosovës nuk kishin qenë në dijeni për deportimin e turqve.

Pika e parë e kësaj aktakuze në të cilin janë të përshkuara veprimet e ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, vije në konstatim se ish-Presidenti dhe Kryeministri nuk ishin të informuar fare me depërtimin e gjashtë shtetasve të Turqisë.

Sipas kësaj aktakuze, Gashi e kishte keqpërdorur detyrën e tij me qëllimin që t`i dëbonte me forcë shtetasit turq. Për këtë qëllim Prokuroria pretendon se Gashi kishte rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit e Turqisë me arsyetimin se ata përbënin rrezik për sigurinë kombëtare gjë që nuk ishte provuar fare në procedurë ligjore.

Aktakuza përshkruan pretendimet se ish-shefi i AKI-së kishte rekomanduar edhe nxjerrjen e urdhrave për dëbim me forcë në këtë rast dhe nuk e kishte njoftuar as Presidentin dhe as Kryeministrin e Shtetit siç parashihet në ligjin për AKI-në.

E pyetur se si ka arritur në konstatimin se Presidenti nuk ishte i informuar, prokurorja Habibe Salihi ka thënë për KALLXO.com se këtë do ta bëjë të ditur gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Nuk mundem me dhanë sqarime se qysh e kom konkludu unë akuzën, në seancat e radhës keni me e kuptu atë se tash më duhet me marrë me e kontrollu lëndën edhe një here për me ju tregu juve, unë në atë pjesë jam bazu kur e kom qit po me duhet me e marrë edhe me e këqyrë lëndën, ta shohim gjatë shqyrtimit”, ka thënë Salihi.

Përpos ish-shefit të AKI-së për deportim të kundërligjshëm të shtetasve turq po akuzohen edhe Valon Krasniqi, drejtor i Drejtorisë për shtetësi, azil dhe migracion si dhe koloneli, Rrahman Sylejmani.

Krahas Gashit dhe Krasniqit që po akuzohen për keqpërdorim, kolonel Sylejmani akuzohet edhe për privim të kundërligjshëm nga liria.

Sipas Prokurorisë Valon Krasniqi në kundërshtim me ligjin kishte marrë vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit për gjashtë shtetasit turq, duke u bazuar në rekomandimin e drejtorit të AKI-së, pa e vërtetuar fare nëse informacionet e AKI-së i plotësonin kriteret ligjore për të përcaktuar se ata paraqisnin rrezik për sigurinë kombëtare.

Ndërsa Sylejmani akuzohet se nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë ndaj shtetasve turq në mënyrë të kundërligjshme edhe pse nuk ishin fare në kompetencën e tij.

Sipas Prokurorisë këto urdhra ishin nxjerrë nga Sylejmani edhe pse nuk ishin përmbushur asnjë nga kushtet për dëbim. Ai akuzohet edhe se me ndihmën e Policisë së Kosovës, gjashtë shtetasit turq i kishte privuar kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë.

Për këto akuza Gashi, Krasniqi dhe Sylejmani janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtim fillestar.

Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina gjatë prillit të vitit 2018 në rrethana krejtësisht misterioze ishin arrestuar e më pas deportuar për në Turqi.

Arrestimi i tyre u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.