Gjykimi ndaj Fitim Gudes në gjykaten e Gjilanit

Asamblisti i LDK-së në Gjilan e pranon fajësinë në akuzat e Prokurorisë

Fitim Guda, asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka dalë sot para gjykatësit për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë, e cila atë e ngarkon me veprën penale të mos deklarimit të pasurisë.

Në shqyrtimin e sotëm i cili ishte fillestar, Guda, tha se pranon fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet.

“Është bërë një gabim i vogël teknik prej meje, më vjen keq për rastin që ka ndodhur dhe i premtoj Gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsërisë vepra penale”, tha shkurt i akuzuari Guda.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Fitim Guda, nuk i ka paraqitur të gjitha të dhënat e kërkuara në Deklaratën e Agjensisë Kundër Korrupsionit.

Tutje sipas aktit akuzes, i akuzuari Guda, duke qenë asamblist në Komunën e Gjilanit, në formularin e AKK-së, i ka paraqitur të dhënat e tjera, por jo edhe ato të pronësisë dhe afarizmit të kompanisë “A. A. Solid. SH.P.K”, edhe pse ishte pronar i sajë.

Shpallja e vendimit lidhur me këtë rast do të bëhet më 20 nëntor.