Asamblisti i AAK-së në Deçan i akuzuar për uzurpim të pronës komunale

Mehmet Osaj, këshilltar i asamblesë komunale në Deçan nga AAK, ka dalë sot para gjykatës për t’u ballafaquar me dy aktakuza të prokurorisë së Pejës.

Njëra aktakuzë e ngarkon Osajn për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor, ndërsa tjetra aktakuzë e ngarkon për uzurpim të kundërligjshëm të pronës komunale.

Osaj për të dy veprat u deklarua i pafajshëm.

Gjykatësi i çështjes, Sulltan Dobraj, i dorëzoi atij aktakuzën për mosdeklarim pasi paraprakisht nuk i ishte dorëzuar nga prokuroria.

“Unë kam shku me i marr shkresat e lëndës por prokurori ishte i zënë dhe më nuk kam shkuar”, deklaroi ai.

Aktakuza e ngarkon Osajn se si këshilltar i Asamblesë Komunale në Deçan, gjegjësisht zyrtar i lartë publik, nga data 1 mars deri me 31 mars 2021 obligohet që të bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak për të cilën gjë edhe është njoftuar, por që ai gjatë kësaj periudhe nuk e ka deklaruar pasurinë.

Dosja e prokurorisë thotë se i pandehuri Osaj deklarimin e pasurisë e ka dorëzuar pas kalimit të afatit ligjor përkatësisht më datën 20 prill 2021.

Aktakuza tjetër e ngarkon të pandehurin Osaj për uzurpim të kundërligjshëm të pronës së komunës së Deçanit, ashtu që i njëjti duke qenë në dijeni se prona në fjalë është në pronësi të komunës së Deçanit, e rrethon pronën me tela dhe në brendi mbjellë pemë të llojeve të ndryshme, duke ja pamundësuar kështu komunës shfrytëzimin e plotë dhe të lirë të kësaj pronë.

Për këtë vepër penale Osaj tha se nuk qëndron sipërfaqja e pronës e përshkruar në aktakuzë.

Pasi që i pandehuri nuk e pranoi fajësinë, gjyqtari Sulltan Dobraj e njoftoi atë për të drejtën për kundërshtim të provave dhe të aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë është caktuar të mbahet me datën 21 nëntor.