Arsyetimi i Gjykatës Speciale për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt

Krerët e OVL-UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj shpallen fajtorë nga Gjykata Speciale.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtor për 5 pika të aktakuzës ndërsa u liruan për pikën që ka të bëjë me veprën penale të hakmarrjes.

Për pikën 1, 2, 3, 5 dhe 6 të akuzuarit u shpallen fajtor pasi trupi gjykues ishte bindur se kishin kryer këtë vepër penale.

Sipas trupit gjykues të akuzuarit kanë zbuluar informacionin e mbrojtur duke ekspozuar dokumentet e duke lejuar të pranishmit në tri konferenca për shtyp që ti shikonin të njëjtat.

“Trupi Gjykues është bindur se të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejtë për zbulimin e informacionit të mbrojtur. Kjo duket veçanërisht nga: veprimet e tyre; zotimet e tyre për të vijuar me publikimin e çdo dokumenti të marrë, duke deklaruar se ishte detyra e tyre ta bënin këtë; inkurajimi i tyre i përsëritur për gazetarët që të publikonin dokumentet; dhe deklaratat e tyre se mirëprisnin dorëzime të tjera të dokumenteve të tilla”, është thënë tutje nga trupi gjykues.

Trupi gjykues në këtë rast ka konstatuar se të akuzuarit kanë zbuluar identitetet ose të dhënat personale të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të marrë në mbrojtje nga ZPS-ja në të njëjtën mënyre siç kanë zbuluar informacionin e mbrojtur.

Sipas gjykatës të akuzuarit përmendën se në tre grupet me dokumente ishin emra, vendbanime të mëparshme dhe aktuale, numra telefonash, përkatësia etnike, vendet ku ishin zhvilluar intervistat dhe përmbajtja e deklaratave të dëshmitarëve.

“Ata gjithashtu ftuan gazetarët që të njiheshin me këtë informacion. Gjithashtu, z. Haradinaj përmendi emrat e së paku pesë dëshmitarëve ose dëshmitarëve të mundshëm”, është thënë tutje për këtë çështje.

Trupi Gjykues është bindur se të akuzuarit vepruan me synim të drejtpërdrejtë për zbulimin e emrave dhe të dhënave personale të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm.

Këto veprime të akuzuarve shkaktuan pasoja për dy dëshmitarët të cilët u zhvendosën e dëshmitarët të cilët u bën objekt i planifikimit urgjent të menaxhimit të rrezikut dhe së paku një person i cili u përmend publikisht.

E trupi gjykues ka vlerësuar se të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm për këto pasoja.

Sidoqoftë lidhur me të njëjtën trupi gjykues nuk është bindur se veprimet e të akuzuarve pamundësuan apo penguan shumë hetimet e ZPS-së.

Ndërsa për pikën tjetër të aktakuzës që ka të bëjë me vepër penale të frikësimit, është thënë se  70-80% e materialeve të tre grupeve të dokumenteve u shpërndanë pa u përzgjedhur dhe pa asnjë masë mbrojtëse paraprake të mirëfilltë.

Sipas trupit gjykues akuzuarit nuk i kushtuan rëndësi faktit se ku dhe në duart e kujt do të përfundonte informacioni që ata zbuluan.

“Për më tepër, të akuzuarit deklaruan shprehimisht se tashmë dihej nga publiku, përfshirë edhe nga dëshmitarë, se të tjerë e dinin se kush ishin ata. Të akuzuarit bënë deklarata të përsëritura se kjo gjykatë nuk ishte në gjendje të garantonte privatësinë dhe sigurinë e dëshmitarëve të saj, duke theksuar kështu më tej cenueshmërinë e tyre. Të akuzuarit përdorën platformën e përbashkët të OVL-UÇK-së dhe funksionet e tyre zyrtare brenda kësaj organizate për të kryer veprimet e tyre”, thuhet tutje.

Trupi gjykues për këtë pikë të akuzës ka gjetur se të akuzuarit gjithashtu iu referuan dëshmitarëve dhe 8 dëshmitarëve të mundshëm me një gjuhë nënçmuese dhe kërcënuese, duke i quajtur ata “tradhtarë”, “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “shqipfolsa”, duke i bërë kështu jehonë një retorike të njohur, e cila synonte të ngjallte armiqësi ndaj atyre që kishin zgjedhur të bashkëpunonin me ZPS-në.

Trupi Gjykues konstatoi se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve shkaktuan kërcënim të rëndë, i cili do të kishte krijuar frikë dhe shqetësime të rënda për shumë dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm.

Kjo sjellje e të akuzuarve konsiderohet të ishte mjeti që shërbente për një qëllim: për të penguar hetimet dhe ndjekjet penale të efektshme të ish-anëtarëve të UÇK-së nga ZPS-ja.

“Thënë thjesht: pa dëshmitarë, nuk do të kishte gjykime; dhe pa gjykime, nuk do të kishte dënime të atyre që nga njëri prej të akuzuarve u cilësuan si ‘djemtë e Kosovës’”, ka thënë trupi gjykues.

Ndërsa, për pikën 4 që ka të bëjë me veprën penale të hakmarrjes, trupi gjykues ka konstatuar se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.

Të akuzuarit janë gjetur fajtor edhe për pikën 1 të aktakuzës që ka të bëjë me veprën penale të pengimit të personave zyrtarë me anë të forcës ose kërcënimit të rëndë.

“Trupi Gjykues rikujton se vepra penale sipas nenit 401(1) të KPK-së mund të kryhet edhe nëse pengimi tentohet por nuk çohet deri në fund. Pasi konstatoi se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve përbënin kërcënim të rëndë, Trupi Gjykues konstaton se të akuzuarit tentuan të pengonin zyrtarët e DHS-së/ZPS-së në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, ka konstatuar gjykata.

Trupi Gjykues konstaton se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve tregojnë qartë dëshirën për të penguar marrjen e dëshmive të dëshmitarëve nga hetuesit dhe prokurorët e ZPS-së, gjë që përmbush kriteret e formës së rëndë të veprës penale.

Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm formën bazë dhe të rëndë të veprës penale të Pikës 1 në lidhje me të dy të akuzuarit.

Pika 2 ka të bëjë me veprën penale të pengimit të personave zyrtarë me anë të veprimeve të përbashkëta si grup.

“Provat vërtetojnë se z. Gucati, z. Haradinaj dhe z. Faton Klinaku vepruan si grup: përmes ndarjes midis tyre të detyrës së organizimit të tri konferencave për shtyp; përmes paraqitjes së informacionit që përmbanin tre grupet e dokumenteve; përmes kontakteve me ZPS-në; dhe përmes shprehjes së qëndrimeve të përbashkëta gjatë paraqitjeve në media lidhur me zbulimin e informacionit të mbrojtur dhe pengimin e DHS-së/ZPS-së”, thuhet lidhur me të njëjtën pikë të akuzës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Gucati e Haradinaj shpallen fajtorë