K.R.U. Gjakova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyetimi i Gjykatës për dënimin e kryeshefit ekzekutiv të KRU 'Gjakova'

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë së ujësjellësit KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, i akuzuar për raportim të rremë të pasurisë ishte dënuar me 6 muaj burg, i cili dënim me pëlqimin e tij, iu zëvendësua më dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Pëveç kësaj atij iu kishte dhënë edhe dënimi me gjobë prej 500 eurove.

Sipas aktgjykimit të gjykatëses së rastit, Ilirjana Hoti, si rrethanë rënduese ka vlerësuar kryerjen e veprës penale, ndërsa si rrethanë lehtësuese gjykata ka vlerësuar sjelljen e tij korrekte dhe mosdënueshmërinë e tij më parë.

Poashtu, si rrethanë lehtësuese gjykata ka vletësuar pranimin e fajësisë nga ana e tij dhe vetëdijshmërinë e tij për kryerjen e veprës penale.

I njëjti kishte pranuar fajësinë.

Akuza e ngritur në muajin maj të vitit 2020 nga prokurori Enis Gashi, tregon se këto veprime i akuzuari i ka kryer në muajin mars të vitit 2019.

Sipas aktakuzës, me 22 mars të vitit 2019, i akuzuari Ahmeti nuk kishte paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratën për raportimin e pasurisë, ashtu që duke qenë në cilësi të kryeshefit të KRU “Gjakovë”, për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018 ka paraqitur raport të rremë të pasurisë.

Në aktakuzë thuhet se ai nuk e ka shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme, duke paraqitur pagën mujore 1 mijë e 290 euro, (1.290×12=15.480), ndërsa sipas të dhënave rë siguruara nga kompania e ujësjellësit shuma totale e të hyrave rezulton të jetë shuma neto prej 18 mijë e 933 euro.

Në këtë mënyrë, sipas akuzës Ahmeti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publik.