Gazmend Muhaxheri, LDK, Pejë. Foto: Atdhe Mulla

Arsyetimi i Apelit për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Gazmend Muhaxherit

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Pejës, e cila e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Gjykata e shkalles së dytë e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë se Pejës, duke e vërtetuar kështu vendimin e Gjykatës për hedhje të aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, ndërsa e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e palës se dëmtuar, Hysni Selmanajt, kundër vendimit të shkallës së parë.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e Gjykatës se Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës se Apelit, pretendimet ankimore të Prokurorisë së Pejës janë të pabazuara dhe se Gjykata e Pejës, ka vepruar drejtë kur e ka hedhur poshtë akuzën kundër Muhaxherit, duke pushuar kështu procedurën penale, pasi që sipas Apelit nga shkresat e lëndës shihet se veprimet Muhaxherit nuk përbëjnë vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar se ai ka kryer vepër penale.

Muhaxheri akuzohej se në cilësinë e kryetarit të komunës refuzoi të zbatojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit që e obligonte atë që ta kthejë në vendin e punës Hysni Selmanajn, ish-Drejtor i Auditimit të Brendshëm në komunën e Pejës.

Sipas Gjykatës se Apelit, kryetari i Pejës sipas një vendimi që i referohet Prokuroria të datave 08.01.2016 dhe 11.01.2016 nga ana e Komunës ka rezultuar me veprime në zbatimin e vendimit të datës 04.12.2016.

“I pandehuri Gazmend Muhaxheri në cilësinë e kryetarit të Komunës se Pejës ka marrë vendimin nga KPM me datë 04.12.2015, ndërsa kthimin në vendin e punës të dëmtuarin Hysni Selmanaj, ka vepruar në plotni duke e respektuar vendimin e KPM-së, ku me datat 08.01.2016 dhe 11.01.2016, i dëmtuari është kthyer në pozitën e njëjtë, e që nga veprimi i tillë del se i pandehuri nuk e ka konsumuar veprën penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës se Apelit të siguruar nga KALLXO.com.

Gjykata e Apelit konsideron se Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë në mënyrë të arsyeshme se i pandehuri ka kryer këtë vepër penale edhe pse në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga Gjykata e as nga palët në procedurë.

Ndërsa ankesa e të dëmtuarit Hysni Selmanaj është hedhur poshtë, sepse sipas dispozitave ligjore i dëmtuari ka të drejtë të ushtroj ankesë kundër aktgjykimit vetëm lidhur me vendimin e gjykatës, lidhur me sanksionin penal për veprat penale kundër jetës dhe trupit, kundër integritetit seksual, kundër sigurisë së trafikut publik, dhe për shpenzimet e procedurës penale.

“Andaj i dëmtuari nuk ka mundur të ushtroj ankesë pasi që këtë të drejte në rastin konkret e ka Prokurori i shtetit, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij”, thuhet tutje në vendimin e Gjykatës.

Komuna e Pejës punëson vajzën e gjykatësit që liroi nga akuza Gazmend Muhaxherin