ARKIV - Foto: KALLXO.com

Arsyetimet e Apelit dhe Supremes për rastin e ish-shefit të shërbimeve publike në Malishevë

 

Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-shefit të shërbimeve publike në Malishevë, Ismet Mazreku, pritet të mbahet me datën 27 tetor, pranë trupit gjykues Nikollë Komani, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Mazreku akuzohet se ka pranuar kabllon me tension të ulët ndërsa kablloja është dashur të vendoset me tension të lartë, sipas shkresës së raportit.

Ky rast, pasi që kishte marrë verdiktin përfundimtar nga Gjykata Themelore e Gjakovës, ku ishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim me kërkesën e të akuzuarit iu zëvendësua me gjobë prej 3,400 euro dhe më pas të njëjtin vendim e kishte aprovuar edhe Gjykata e Apelit.

Po ashtu, si obligim tjetër Ismet Mazrekut iu kishte dhënë edhe kompensimi i dëmit ndaj komunës së Malishevës, në shumë prej 8.727.90 euro.

Kundër këtij vendimi, avokati i të akuzuarit kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i gjykatës së Gjakovës nuk përmbante shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit dhe se në të njëjtin aktgjykim ishin dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare.

Poashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë e kishte vërtetuar se i akuzuari Ismet Mazreku kishte kryer veprën penale, sepse i njëjti kishte lëshuar fatura se gjoja e kishte blerë kabllon elektrike të  fshatit Gajrak sipas kontratës me numër 74, të nënshkruar nga zyra e prokurorimit publik në mes të komunës së Malishevës dhe autoritetit kontraktues, e cila kontratë nuk ishte realizuar nga komuna, por punët për montimin e kabllos elektrike ishin kryer nga KEDS-i.

Mirëpo, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokati i të akuzuarit Emrush Kastrati, Gjykata Supreme kishte anuluar të dyja vendimet dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Gjakovës.

Sipas vendimit të Supremes, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë  kishte qenë në kundërshtim me dispozitivin, në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës së prokurorimit dhe se i njëjti dispozitiv ishte i pakuptueshëm.

Në vendimin e Supreme thuhet se pretendimi në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për atë se nuk ishte vërtetuar dashja e të dënuarit në kryerjen e veprës penale dhe se në dëm të tij është bërë shkelje e ligjit penal, është i bazuar.

Ky rast pritet të vazhdojë me datën 27 tetor, pasi që seanca e fundit kishte dështuar për arsye se i akuzuari Ismet Mazreku kishte kërkuar që të deklarohet në Prokurori edhe njëherë për të njëjtën çështje.

Gjatë gjykimit, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat e akuzon Prokuroria.

Në këtë rast, KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurorimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.