Arsyet e rihapjes së seancës ndaj Qemajl Mustafës, i akuzuar për krim të organizuar

Pas 5 viteve prej kur Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzën voluminoze kundër ish kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve të tjerë, gjykata vendosi që sot të e rihap shqyrtimin.

Me këtë trup gjykues po udhëheq gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj, pas pensionimit të gjykatësit Sylë Lokaj.

Gjykata tha se urdhëresa e gjykatës së qarkut përmes së cilës është kërkuar nxjerrja e SMS-ve nga kompania ‘VALA, i referohet një kërkese të prokurorisë e cila kërkesë nuk gjendet në shkresa të lëndës.

“Pra gjykata bazuar në urdhëresën që është kërkuar nxjerrja e sms-ve i është referuar një kërkese të prokurorisë publike të qarkut në Gjilan, mirëpo ajo kërkesë nuk është e njëjta në shkresat e lëndës siç i është referuar, është e njëjta me datë, por ajo kërkesë nuk është kërkesë, por është urdhëresë e prokurorisë që i është drejtuar drejtpërdrejt telefonisë mobile për nxjerrjen e listingut, jo për përgjim të SMS”.

Sipas gjykatës paqartësia qëndron se në shkresat e lëndës është një urdhëresë e gjykatës me të cilën është kërkuar nga kompania VALA të nxirren SMS, mirëpo në shkresat e lëndës nuk ekziston kërkesa e prokurorisë drejtuar gjykatës.

Gjykata tha se me qëllim të marrjes se një vendimi meritor në seancën e radhës do të urdhërohet prokurori të sigurojë kërkesën e prokurorisë së qarkut në Gjilan në bazën e së cilës është thirrur gjykatësi i procedurës paraprake në Gjilan që ka lëshuar urdhëresën e cila është objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor pasi mbi bazën e saj janë nxjerrë mesazhet.

“Të sigurohet përgjigja e valës 18.12.12, sepse është thënë që e keni përgijgjen në CD, e në CD ne nuk kemi has në përgjigje, në CD ne kemi gjetur vetëm transkriptimin e SMS-ve burimin e të cilëve ne ende nuk po e dimë”, tha tutje gjykatësja.

Po ashtu do të ftohen të gjithë zyrtarët policorë për zbatimin e këtyre urdhëresave.

Me këtë aktakuzë Prokuroria pretendon se kishte zbuluar një grup kriminal në krye me ish kryetarin e Gjilanit i cili kontrollonte dhe i kurdiste tenderët për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Sipas Prokurorisë Speciale pronarët e kompanive që akuzohen në këtë proces me rastin e ofertimit në tenderët e Komunës fillimisht e kontaktonin Qemajl Mustafën dhe më pas koordinoheshin në mes veti se cili nga ta do të shpallej fitues në tenderin e caktuar duke i kurdisur kështu aktivitetet e prokurimit.

Procesi gjyqësor ndaj ish kreut të Gjilanit është përshkruar me zvarritje të shumta procedurale.

Aktakuza për këtë rast penal ishte kthyer dy herë për plotësim dhe ndryshim nga gjyqtari Loka i cili kishte udhëhequr me këtë proces gjyqësor, por pas pensionimit tani në krye të trupit gjykues është gjykatësja Kuka-Mekaj.

Pasi ishte plotësuar dy herë akti akuzues gjyqtari i çështjes Sylë Lokaj gjatë vitit 2017 e kishte hedhur poshtë krejtësisht aktakuzën.

Hedhja poshtë e aktakuzës nga ish Gjyqtari i Krimeve të Rëndë nuk ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit e cila kishte konstatuar se gjyqtari nuk kishte dhënë arsye se pse ishte hedhur poshtë akti akuzues.

Pas këtij vendimi të apelit, Gjykata në Pejë e kishte mbajtur shqyrtimin fillestar dhe i kishte pranuar ankesat e të akuzuarve.

Pas trajtimit të këtyre ankesave përsëri gjyqtari Sylë Lokaj e kishte hedhur aktakuzën mirëpo kësaj radhe e kishte hedhur vetëm pikën e krimit të organizuar dhe jo në tërësi aktakuzën.

Sikurse me vendimin paraprak, as me vendimin e dytë për hedhjen poshtë të krimit të organizuar nuk u pajtua gjykata e Apelit.

Apeli me vendimin e vitit 2019 e kishte urdhëruar gjyqtarin Sylë Lokaj që të fillonte gjykimin për krim të organizuar kundër ish kreut të Gjilanit dhe 36 të tjerëve.

Në ketë proces ish kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa akuzohet se ka qenë “koka” e një grupi kriminal i cili është marrë me kurdisjet e dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Në aktakuzë pretendohet se Qemajl Mustafa ne mënyre arbitrare pa  respektuar procedurat e prokurimit i kishte dhëne pune kompanisë “Bejta  Comerce” me pronar të pandehurin Basri Kqiku në shume prej  787,000.00 euro.

Prokuroria i akuzon të pandehurit: Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj Shabani, Ibrahim Foniqi, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Naim Jashari, për veprën penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Behar Mehmeti por procedura ndaj tij është ndërprerë.

Ndërsa të pandehurit: Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzohen për veprat penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale -keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.

Aktakuza fillestare pati 39 të akuzuar, mirëpo i akuzuari Behar Mehmeti ka vdekur kështu që Gjykata pushoi procedurën ndaj tij.

Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në procesin i cili po zhvillohet në sallën e asamblesë komunale të Pejës për shkak të pamundësisë që salla e gjykatës në Pejë t’u bëjë vend të gjithë të akuzuarve.

Gjykata rihap çështjen ndaj Qemajl Mustafës dhe të akuzuarve tjerë pikërisht në ditën kur pritej shpallja e aktgjykimit – VIDEO