Arsyet e gjykatës që s'lejuan lirimin e Rexhep Selimit nga paraburgimi

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale e kanë refuzuar lirimin e përkohshëm të Rexhep Selimit.

Lajmi për refuzimin e kërkesës se tij për lirim me kusht, u bë i ditur përmes një njoftimi për media nga Dhomat e Specializuara të Speciales.

Me refuzimin e kërkesës, gjyqtari Nicolas Guillou vendosi që të njëjtin ta mbajë në masën e paraburgimit.

Mbrojtja e Selimit pretendon se organi i prokurorisë nuk ka arritur të mbështetës konkludimin se të rasti penal i Rexhep Selimit, ekziston rreziku i ikjes nga vendi, se ekziston rreziku për shkatërrimin, fshehjen, apo ndryshimin e ndonjë prove, apo rreziku i ndikimit në dëshmitar ose në të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Po ashtu mbrojtja në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës, ka parashtruar se nuk ka bazë për të mbështetur pretendimin se ekziston rreziku i kryerjes së veprave tjera penale.

Ndërsa prokurori e ka kundërshtuar kërkesën e palës së akuzuar, duke kërkuar që Selimi të mbahet në paraburgim meqenëse ende ekzistojnë kushtet në bazë të cilave është caktuar kjo masë paraprakisht.

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale

Lidhur me pikën në të cilën është thirrur mbrojtja e që është-rreziku i ikjes/fluturimit, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ka disa faktorë që mbështesin konstatimin se ka gjasë që të ekzistoj ky rrezik.

“Veçanërisht, pasur parasysh që z. Selimi tani është i vetëdijshëm për peshën e akuzave të konfirmuara kundër tij dhe dënimin e mundshëm me burg që mund të rezultojë për të, për më tepër, pas parasysh ndikimin e z. Selimi si një udhëheqës politik dhe komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, rrethana këto që nuk mund të injorohen e që shprehin rrezikun se individët në rrjetin e tij mbështetës, të cilët ndajnë kundërshtimin e tij të vendosur ndaj Gjykatës Speciale, mund të shprehin gatishmëri duke i dhënë atij çasje në pasuri ose ta ndihmojnë atë të ikë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Gjykata e ka konsideruar si të pabazuar edhe pretendimin e mbrojtjes se nuk ka rrezik në ndikimin e procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj Selimit.

Sa i përket rrezikut të kryerjes së krimeve të mëtejshme, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekziston rreziku që Selimi të pengojë procedurën gjyqësore ndaj tij përmes kësaj pike.

Në këtë drejtim, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se pozita e shquar e Selimit në Kosovë, njohuria e plotë e tij për praktiken mbizotëruese e të frikësimit të dëshmitarëve, tregojnë se ekziston rreziku që ai, nën çfarëdo forme të përgjegjësisë, të angazhohet ose të kontribuoi në krime të ngjashme me ato në aktakuzë, kundër atyre që pretendojnë që anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime, përfshirë dëshmitarët që siguruan ose janë munduar të sigurojnë prova e që edhe mund të paraqiten për të dëshmuar para gjykatës.

Duke u thirrur në këto pika, gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes se Selimit, duke e lënë atë nën masën e paraburgimit.

Katër krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim që nga koha e arrestimit të tyre në Kosovë.

Ata u arrestuan pasi ndaj tyre u konfirmua akuza për krime të luftës.

Për këto akuza Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin deklaruar të pafajshëm.

Ata akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.