Ilustrim - Drogë

Arrihet  marrëveshja për pranimin e fajësisë për 13 kilogramë kanabis

Gjykata sot ka aprovuar marrëveshjen e lidhur në mes Prokurorisë së Prishtinës dhe të akuzuarit Vlastimir Vuleviç për pranimin e fajësisë për veprat penale shitblerje e narkotikeve dhe blerjen ose fshehjen e sendeve të përfituara me veprën penale.

Sipas marrëveshjes së lidhur në mes Prokurorisë së Prishtinës dhe tani të akuzuarit Vuleviç dënimi i rekomanduar në këmbim të pranimit të fajësisë është dënim me burgim prej 24 deri në 26 muaj për veprën penale shitblerje e narkotikëve dhe dënim me gjobë në lartësi prej 3 mijë euro.

Ndërsa për veprën e dytë fshehje e sendeve të fituara me kryerjen e veprave penale është rekomanduar dënimi në kohëzgjatje pre 3 muaj i zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 1,800 euro.

Vuleviç sipas Prokurorisë  është marrë me blerjen, shitjen, transportin e paautorizuar të narkotikëve ashtu me datën 24 shkurt të vitit 2018 në orën 10 e 15, në lokalin “Lana” në Graçanicë policia ka gjetur 4 kilogram e 259 gramë narkotikë  të vendosura në një thes najloni ngjyrë të zezë në frigoriferin e garazhës.

Gjithnjë sipas prokurorisë të akuzuarit në të njëjtën garazhe afër dritareve  i janë gjetur edhe 8 kilogramë e 820 gramë narkotikë të cilat pas analizave rezultuan të jetën kanabis sativa.

Vuleviç akuzohet nga Prokuroria edhe  për shkak se ka fshehur paratë për të cilat e ka ditur se janë përfituar me kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Ashtu që më datën 24 shkurt 2018 policia me të bastisur shtëpinë e tij  në Graçanicë, në pjesën e jashtme të dritares së banjos ka gjetur të mbështjellë 11 kartëmonedha në vlerë prej 50 euro dhe 14 kartëmonedha në vlerë prej 20 euro në shumë totale prej 830 euro.

Vendimi mbi dënimin do të shpallet  me datën 29 janar.