
Arrestohet për vjedhje të kabllove elektrike
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Elektricisti”.
Sipas njoftimit në këtë operacioni është arrestuar i dyshuari në Durrës i cili kishte vjedhur kabllo elektrike në shtatë zona të ndryshme dukë lënë banorët pa rrymë.
Sipas njoftimit, specialistët bazuar në kallëzimet dhe ankesat e qytetarëve për vjedhje të kabllos elektrike në disa lagje, kanë organizuar punën duke ngritur grackë në afërsi të bokseve kolektive të matësve elektrikë.
“Si rezultat i shërbimeve dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit J.D,29 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale prodhim dhe shitje e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, Policia e Shtetit ka njoftuar se i dyshuari duke pasur njohuri si elektricist gjatë një jave ka vjedhur kabllon elektrike të furnizimit me energji në bokset kolektive të matësve eklektik në disa lagje të qytetit të Durrësit, dukë lënë kështu banorët pa energji elektrike.
Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar gjërat që përdorte për të kryer vjedhjet, si dhe një sasi tel bakri.
Materialet hetimore i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të të dyshuarit për vjedhje dhe shkatërrim të rrjetit elektik.