Foto: Ilustrim

Arrestohet nga policia i dyshuari për mitdhënie

Një person është arrestuar nga Policia e Shtetit në Lezhë nën dyshimin për mitdhënie.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit i dyshuari A. L., 19 vjeçar nga Firenca e Italisë, është zënë në flagrancë duke i ofruar ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore, me qëllim të shmangies së gjobës.

“Ky shtetas në aksin rrugor Thumanë – Milot, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me radar, dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin një kartëmonedhë të prerjes 50 euro, me qëllim shmangien e masës administrative”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Rasti i është përcjellë  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë në ngarkim të të dyshuarit për veprën penale korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.