Foto: Ilustrim
Arrestohet ‘mjeku popullor’ nga Malisheva, e shantazhoi viktimën duke i kërkuar 30 mijë euro
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar M.Z., viti i lindjes 1962, nga Malisheva, i dyshuar për veprat penale: mashtrim, ushtrim i kundërligjshëm mjekësor dhe shmangie nga tatimi.
I dyshuari, sipas Policisë, duke ushtruar profesionin e ‘mjekut popullor’, nga një qytetare që nga viti 2016 deri më tani ka përvetësuar një shumë rreth 6 mijë euro si shpërblim për gjoja ofrimin e shërbimeve mjekësore ndaj saj.
I dyshuari paraqitej se shëronte sëmundje të ndryshme: shërim shpirtëror, rregullim të problemeve familjare etj.
Sipas Policisë, i dyshuari, pas një kohe, duke shfrytëzuar të dhënat e mësuara nga ankuesja gjatë ‘’seancave për shërim”, i mbështetur edhe nga bashkëshortja e tij, kishte filluar ta shantazhojë dhe ta kërcënojë ankuesen se do t’ia shkatërronte familjen nëse nuk i sjell një shumë prej 30.000 euro.
Policia, ka kërkuar nga Gjykata leje për kontroll të cilën e ka siguruar dhe e njëjta është realizuar sot, ku është kontrolluar lokali ku ka ushtruar ‘profesionin’ dhe shtëpia e të dyshuarit në Malishevë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmi të cilat do të përdoren në procedura të mëtejme gjyqësore.
Po ashtu, Policia ka siguruar të dhëna se i dyshuari ka zhvilluar edhe aktivitet të veterinarisë.
Me aktvendim të prokurorit të rastit, i dyshuari ndalohet për 48 orë në mbajtje.
Policia, referuar gjetjeve gjatë realizimit të urdhër-kontrollit, beson se viktima të mashtrimit mund të jenë edhe një numër i konsiderueshëm i qytetareve, andaj apelon te qytetarët që të kenë kujdes ndaj këtyre formave të mashtrimeve dhe po ashtu nëse ka viktima të tjera të kësaj natyre të lajmërojnë Policinë.