Enë e aksesorë të konfiskuar nga Policia e Shtetit, Foto: PSH

Arrestohet mërgimtari për kontrabandë me mallra

Një shtetas shqiptar I. G 46 vjeç i cili jeton në Rumani është arrestuar nga ana e Policisë së Shqipërisë për kontrabandë me mallra, fshehje e të ardhurave, manipulim të tregut dhe shkelje të së drejtës së pronësisë industriale.

“Nga specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në kuadër të planit të posaçëm të masave për luftën kundër informalitet, në aksin rrugor Fushë Milot – Lezhë, u arrestua në flagrancë shtetasi I.G., 46 vjeç, banues në Rumani”, ka njoftuar policia.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin, si dhe në banesën e tij të marrë me qira, 46 vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme enësh dhe aksesorë kuzhine të paketuara gati për shitje, në vlerë monetare rreth 27 mijë eurove.

“Të gjitha mallrat ishin pa dokumentacion përkatës dhe të dyshuara kontrabandë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe mjeti, në të cilin u gjendën mallrat e dyshuar kontrabandë”, ka njoftuar tutje Policia e Shtetit.

Enë e aksesorë të konfiskuar nga Policia e Shtetit, Foto: PSH
Enë e aksesorë të konfiskuar nga Policia e Shtetit, Foto: PSH