Arrestimi i tre të dyshuarve për fajde në Prizren, Prokuroria jep detaje

Tre persona të dyshuar janë arrestuar nga Polica e Kosovës gjatë një aksioni anti-fajde në rajonin e Prizrenit, ka njoftuar Prokuroria e Prizrenit.

Prokuroria ka bërë të ditur se të arrestuarit janë personat me inicialet A. Th., I. Th., dhe J. Th., të njëjtit dyshohen për  veprën penale “Fajdeja”.

Tre të arrestuarit po dyshohen se përfituan dhjetëra, mijëra euro duke kryer veprën penale të lartcekur.

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një komunikate ka bërë të ditur se të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 25%.

Me ç’rast këto kamata mujore i dëmtuari disa herë i ka paguar, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.

Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar dy (2) automjete, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartcekur.

Ndërsa, të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Tutje, përmes komunikatës së lëshuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, është bërë e ditur se arrestimi i tre të dyshuarve të lartcekur, është bërë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren, Drejtorinë për Krim të Organizuar dhe Njësinë NJSO, është realizuar kontroll në tri lokacione.

 

Arrestime për fajde në Prizren – FOTO