Shkolla 'Dëshmorët e Vitisë - VITI - FOTO KALLXO.com

Arrest shtëpiak për arsimtarin që rrahu nxënësen në Viti

Gjykata e Gjilanit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj arsimtarit i cili shihet në një video duke e goditur një nxënëse në shkollën fillore “Dëshmorët e Vitisë”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.

Arresti shtëpiak iu caktua arsimtarit H.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënëses së tij e cila është në klasë të tetë.

Arresti shtëpiak është caktuar me kërkesë të Prokurorisë së Gjilanit.

Një arsimtar i shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë” në komunën e Vitisë është xhiruar duke ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënëse të klasës së tetë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë kësaj jave, ndërsa rasti nuk ka qenë i raportuar as tek drejtori i shkollës e as te Drejtoria e Arsimit në Viti.

Në ndërkohë, drejtori i Arsimit në Viti, Basri Aliu, kishte thënë se rasti nuk ka qenë i raportuar në asnjë organ kompetent.

“Unë prej juve e kuptova këtë që ka ndodhur, nuk është raportuar tek ne. Besoj që tash do të fillojmë procedurat me të gjitha organet dhe do të trajtohet rasti”, ishte thënë Aliu përmes telefonit për KALLXO.com.

Ndërsa drejtori i shkollës, Xhemajl Hyseni, po ashtu kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni që rasti ka ndodhur.

“Për rastin në fjalë nuk është raportuar në shkollë as nga ana e nxënësve e as nga ana e mësimdhënëist, këtë lajm po e marr nga ju. Prandaj që nga e hëna do të merremi me rastin në fjalë”, kishte thënë Hyseni.