Arrest shtëpiak ndaj të miturit të dyshuar për therrje me thikë

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të miturit L.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale:  lëndimi i lehtë trupor

L.K., dyshohet se me 22 shkurt, në Prizren në afërsi të shkollës, fillimisht fjaloset me të miturin – të dëmtuarin, dhe pastaj e godet me thikë në krah  duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Mirëpo gjykata të pandehurit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Gjyqtarja e procedurës Kymete Kicaj, ka refuzuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, dhe ndaj të miturit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, e cila do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit datë 24.02.2021 do të zgjasë gjer më datën 25.03.2021.

Sipas njoftimit të gjykatës (përjashtimisht të miturit L.K., i lejohet që të largohet nga shtëpia për të ndjekur procesin mësimor, kurse mbikëqyrjen e kësaj mase do të bënë Policia e Kosovës).

Gjyqtarja për të mitur ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të miturin L.K., në rastin konkret është masë shumë e rëndë, ngase i mituri është i moshës së re dhe hyn në kategorinë e të miturve të ri dhe caktimi i paraburgimit do të ishte jofunksional duke pasur parasysh edhe faktin që i mituri është nxënës i cili duhet t’i ndjek mësimet në shkollën e mesme.

“ Prandaj është vlerësim i gjyqtares për të mitur se në rastin konkret me masën e arrestit shtëpiak do të arrihet mjaftueshëm prezenca e të miturit në procedurën përgatitore duke ia mundësuar edhe vijimin e rregullt në shkollë për të ndikuar pozitivisht në karakterin dhe personalitetin e të miturit “, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese mirëpo ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.